Përgjimet në Maqedoni, Prokuroria merr në pyetje ish-kreun e Sigurisë Kombëtare

23/07/2015 00:00

Pas heshtjes disa mujore lidhur me bisedat e përgjuara telefonike që i shpalosi opozita maqedonase, më në fund u deklarua edhe Prokuroria publike e Maqedonisë.

Nga ky institucion kanë njoftuar se është marrë në pyetje ish-drejtori i Drejtorisë së Sigurisë Kombëtare, Sasho Mijallkov si dhe të punësuar tjerë të kësaj drejtorie dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Janë marrë në pyetje edhe të paraqiturit Sasho Mijallkov, ish drejtor i DSK-së dhe Goran Gruevski, kryeshef i së njëjtës drejtori. Janë marrë në pyetje edhe përfaqësues të MPB-së dhe tre persona të punësuar në DSK, sektori për mbështetje operative dhe teknike të operacioneve”, njoftojnë nga Prokuroria publike.

Sipas këtij institucioni, janë hapur lëndë edhe për bisedat telefonike mes Gordana Jankullovskës, në atë kohë ministre e Brendshme dhe Martin Protugjerit, shef i kabinetit të kryeministrit, ku ata flasin për largimin nga puna të më shumë personave të punësuar në MPB dhe nëpër institucione të tjera shtetërore për shkak të përkatësisë së tyre politike.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se do shqyrtohen edhe veprat tjera të cilat përmenden në “bombat” e opozitës, ndër të cilat janë edhe biseda mes ish-ministrit të Transportit, Mile Janakievskit dhe Nikolla Todorovit, e që kanë të bëjnë me falsifikimin e zgjedhjeve në Komunën Qendër të Shkupit.

Nga Prokuroria njoftojnë se është ngritur procedurë për të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me bisedat e përgjuara telefonike që i shpalosi opozita maqedonase. Të ashtuquajturat “bomba”, opozita filloi t’i shpalosë në shkurt të këtij viti. Deri më tani janë publikuar gjithsej 38 të tilla.

Sipas marrëveshjes mes partive për daljen nga kriza politike, përmbajtjen e “bombave” duhet ta hetojë prokurori special, i cili duhet të zgjidhet me kompromis më së voni deri më 15 shtator. Opozita ka paralajmëruar se bisedat e papublikuara telefonike, do t’ia dorëzojë këtij prokurori.

Top Channel