Akuza për konflikt interesi ndaj këshilltarit të Mustafës

23/07/2015 00:00

Gjatë seancës plenare të së enjtes, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është përballur me akuza se po vazhdon të mbajë si këshilltar avokatin Besnik Berisha, për të cilin Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se është rast i konfliktit të interesit, pasi në të njëjtën kohë ishte edhe avokat edhe këshilltar i kryeministrit.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e cila në muajin prill kishte kërkuar sqarime nga Agjencia Kundër Korrupsionit për pozitën e Berishës dhe ku kishte marrë përgjigje se ai tanimë ishte larguar formalisht nga posti i këshilltarit politik, tha se kryeministri vetëm ka bërë lojë dhe prapë e ka angazhuar Berishën si këshilltar. 

Kryeministri Mustafa shpjegoi se ai e ka larguar Berishën si këshilltar që paguhet nga paratë publike dhe e ka angazhuar si ekspertë të jashtëm që e paguajnë organizatat e huaja.

“Është e vërtetë që kam marrë kërkesën e këshilltarit tim Besnik Berisha që ai të tërhiqet nga pozita e këshilltarit politik, për arsye se ka qenë vërejtja e Agjencionit se ai paraqet konfikt interesi si i tillë. Pastaj është angazhuar në cilësinë e ekspertit-këshilltar për zhvillimin e kapaciteteve në institucionet e Kosovës, në bazë të mbështetjes nga organizatat e huaja”, u shpreh kryeministri Mustafa.

“Së pari, sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, zyrtari i lartë publik, pra ku hyjnë edhe këshilltarët, nuk mund të jenë avokatë. Dhe ndonëse ju tani po thoni se quhet ekspertë-këshilltar, në të vërtetë i bie që nuk keni bërë asgjë”, deklaroi deutetja Haxhiu.   

Duke iu përgjigjur kritikave të deputetes së Vetëvendosjes, Mustafa tha se do të angazhojë edhe këshilltarë të tjerë për t’u këshilluar për fusha të ndryshme të qeverisjes.

Top Channel