Iran, pas sanksioneve priten projekte me vlerë 185 miliardë dollarë

23/07/2015 00:00

Irani ka paraqitur këtë të enjte planet për të rilindur marrëdhëniet kryesore industriale dhe tregtare pas arritjes së marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore, duke thënë se synon projekte kryesisht mbi naftën dhe gazin natyror me vlerë prej rreth 185 miliardë dollarë deri në vitin 2020.

Ministri iranian i Industrisë, Minierave dhe Tregtisë, Mohammad Reza Nematzadeh, tha se Republika Islamike do të fokusohet në industritë vendase të naftës dhe gazit, metaleve por edhe atë të makinave, me synimin për të eksportuar në Europë pasi të hiqen sanksionet perëndimore; në vend që të importojë teknologjitë perëndimore.

“Do të vihemi në kërkim të tregtisë në hyrje dhe në dalje, ashtu sikurse dhe bashkëpunimit në zhvillim, dizenjim dhe inxhinieri”, tha Nematzadeh gjatë një konference të mbajtur në Vjenë. “Nuk jemi më të interesuar për importet e njëkahshme të mallrave dhe makinerive prej Europës”, tha ai.

Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara miratoi gjatë së hënës marrëveshjen që do t’i japë fund sanksioneve disavjeçare ekonomike ndaj Iranit, në këmbim të kufizimeve të programit të tij bërthamor.

Sanksionet nuk priten të hiqen të paktën deri vitin e ardhshëm, pasi marrëveshje kërkon miratimin nga Kongresi amerikan. Inspektorët bërthamorë duhet gjithashtu të konfirmojnë se Irani është duke përmbushur tërësisht marrëveshjen. E ndërsa presidentët e Iranit dhe SHBA-ve kanë bërë thirrje dhe ia dolën deri në arritjen e këtij akordi, politikanë të vijës së ashpër në Teheran dhe Uashington kanë shprehur kundërshtitë e tyre për paktin.

Shumë kompani europiane kanë treguar që tani interes në krijimin e mundësive të biznesit me Iranin, teksa Gjermania vetë do të dërgojë ministrin e saj të Ekonomisë, Sigmar Gabriel, në vizitën e parë të një zyrtari të nivelit të lartë në Teheran prej 13 vitesh, së bashku me një delegacion të figurave më të shquara të biznesit.

Zëvendësministri iranian i Naftës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare e Tregtare, Hossein Zamaninia, tha se Teherani ka identifikuar afro 50 projekte nafte dhe gazi natyror me vlerë rreth 185 miliardë dollarë që priten të nënshkruhen deri në vitin 2020. Irani, një vend anëtar i OPEC-ut, ka rezervat më të mëdha në botë të gazit natyror dhe renditet i katërti në listën globale të rezervave të naftës.

Top Channel