Kosovë, studentët të prirur drejt shkencave natyrore. Ja fakultetet më të lakmuara

23/07/2015 00:00

Fakultetet më të kërkuara për vitin akademik 2015-2016 në Kosovë, sipas të dhënave të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë Fakulteti i Edukimit, pasuar nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Durim Berisha, këshilltar i rektorit të Universitetit të Prishtinës, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë” ka theksuar se, numri i maturantëve që kanë aplikuar për t’u bërë studentë në Universitetin e Prishtinës ka pasur një rritje, krahasuar me vitet e kaluara.

“Në Universitetin e Prishtinës prijnë me më shumë aplikime Fakulteti i Edukimit, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Mjekësisë, si tre fakultetet më të kërkuara nga maturantët gjatë këtij viti. Por, duhet të përmend se ka një shtim të numrit të studentëve edhe në drejtimet e tjera, si në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe Fakulteteve Teknike”, ka theksuar Berisha.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Arsim Bajrami ka theksuar ditë më parë se, me konkursin për këtë vit akademik është ulur numri i studentëve për shkencat shoqërore dhe është rritur numri në shkencat ekzakte.

Top Channel