Komandanti i KFOR-it Figliuolo: Kosova po bën gjithçka kundër terrorizmit

23/07/2015 00:00

Komandanti i KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo deklaroi se, organet e sigurisë në Kosovë po kryejnë punën e duhur, duke shkëmbyer informacione në lidhje me rreziqet që lidhen me terrorizmin.

Ai deklaroi gjithashtu se, ligji për pjesëmarjen në konflikte të huaja dhe bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse në këtë çështje janë mënyrat më të mira për të luftuar këtë dukuri.

“Nuk kemi ndonjë gjë specifike në këtë çështje, mirëpo jemi duke i ndarë të gjitha informacionet me EULEX-in, ashtu sikurse këta të fundit me ne. Organizatat për sigurinë në Kosovë janë duke bërë gjithçka që është e mundur. Natyrisht, duhet të parandalohen aktivitete të tilla e të ndahen informacionet me njëri-tjetrin. Por, organizatat tuaja janë duke vepruar në këtë mënyrë”, tha Francesco Paolo Figliuolo, komandant i KFOR-it në Kosovë.

Ai u shpreh se Kosova po shkon drejt ndryshimeve pozitive, ndërsa vlerësoi nivelin e sigurisë.

11 muajt e misionit të komandantit të KFOR-it në Kosovë, gjeneral major Francesco Paolo Figliuolo, përfundojnë në gusht, muaj kur do të bëhet edhe ndërrimi i komandës.

Në konferencën për shtyp, dy javë para dorëzimit të mandtit, u tha se janë kryer mbi 6500 patrullime dhe 100 trajnime të përbashkëta me institucionet e sigurisë së Kosovës, si FSK-ja dhe Policia e Kosovës.

Ai kujtoi gjithashtu se, komandanti i KFOR-it ka pasur edhe takime me shefat e shtabeve të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të arrihet një siguri jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Ballkanin.

Top Channel