Mustafa: AKP, së shpejti llogaridhënie para Kuvendit për “Trepçën”

23/07/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se do t’i sjellin së shpejti Kuvendit të Kosovës, emrat e anëtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilët, së bashku me bordin, do të shpjegojnë keqpërdorimet eventuale në Kombinatin “Trepça”.

Mustafa, duke iu përgjigjur deputetit Bekim Haxhiu – i cili pretendon se stafi menaxherial po bën shkelje ligjore për sa kohë bordi nuk është funksional, – tha se nuk mundet të flasë për atë çfarë ka ndodhur në Kombinatin “Trepça”, sepse është Agjencia Kosovare e Privatizimit, ajo që duhet të shkojë në Kuvend dhe të raportojë.

“Jemi vonuar me bordin e agjencisë. Do ta bëjmë së shpejti dhe pastaj, bordi e stafi menaxherial duhet të flasin për veprimet që janë bërë dhe çdokush do të japë përgjegjësi”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket ligjit dhe strategjisë për “Trepçën”, Mustafa ka thënë se po punojnë me ekspertë të ndryshëm, në mënyrë që ato të jenë sa më të përshtatshme për Kosovën.

Top Channel