ISIS, shënohet viktima e parë mes ushtarëve turq pranë kufirit me Sirinë

23/07/2015 00:00

Agjencia shtetërore e lajmeve ka bërë të ditur se është shënuar viktima e parë mes ushtarëve turq, për shkak të shkëmbimit të zjarrit mes tyre dhe luftëtarëve të Shtetit Islamik përgjatë kufirit turko-sirian.

Guvernatori i provincës Kilis është shprehur se një pikë kontrolli kufitare është sulmuar nga brenda territorit sirian, duke shënuar kështu rastin e fundit të dhunshëm që prek rajonin juglindor të Turqisë, të dominuar nga kurdët, vetëm 3 ditë pasi 32 persona mbetën të vrarë nga një kamikaz me lidhje me ISIS-in në Sucur.

Nga të shtënat e ardhura përtej kufirit me Sirinë, mësohet të kenë mbetur të plagosur edhe dy ushtarë të tjerë, edhe pse ushtria turke është përgjigjur me të shtëna me tanke, duke shkaktuar disa viktima mes xhihadistëve të ISIS.

Gjatë së enjtes ka mbetur i vrarë edhe një polic trafiku turk në qytetin e Diyarbakirit, ndërsa një tjetër është plagosur, teksa po i afroheshin një përplasjeje. Ende asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e të shtënave drejt oficerëve turq.

Top Channel