Kosovë, anulohet marrëveshja për Sigurimet e Automjeteve mes Kosovës e Serbisë

23/07/2015 00:00

Marrëveshja e Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të Sigurimeve të Automjeteve, e nënshkruar në Bruksel më 23 qershor mes Kosovës dhe Serbisë, është anuluar. Kjo marrëveshje ishte parashikuar të hynte në fuqi nga data 24 korrik.

Lajmi është bërë i ditur me anë të një shkrese nga kabineti i ministres për Dialogun, Edita Tahiri, drejtuar grupit teknik për sigurimet kufitare. Sipas një njoftimi, të bërë nga ana e ndërmjetësit të BE-së në dialog, anulimi është bërë pasi pala serbe nuk ka arritur të bëjë përgatitjet e duhura, të nevojshme për zbatimin e saj.

Kabineti i ministres Tahiri ka deklaruar se, për shkak se janë të nevojshme të dyja palët për realizimin e kësaj marrëveshjeje, ndihen të detyruar që zbatimin e saj ta shtyjnë për një kohë të pacaktuar.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se, takimi për të diskutuar rreth kësaj marrëveshjeje do të mbahet në datën 5 gusht.

Menjëherë pas njoftimit për anulimin e zbatimit të marrëveshjes ka reaguar Rrahim Pacolli, nga Shoqata e Kompanive të Sigurimeve të Kosovës. Ai ka thënë se, moszbatimi i ujdisë së arritur më parë tregon sesa jo serioze është Serbia.

Top Channel