Turi, Romain Bardet fitues i etapës së 18. Chris Froome vihet në vështirësi

23/07/2015 00:00

Romain Bardet dhe Pierre Rolland i japin mundësinë Francës të festojë një dopietë në etapën e 18 të Turit të Francës të këtij viti.

25-vjeçari Bardet përshkroi 186.5 km në 5 orë, 3 minuta e 40 sekonda duke prekur i pari vijën e finishit dhe duke regjistruar fitoren e tij të parë në Turin e Francës.

33 sekonda pas tij arriti francezi tjetër, Pierre Rolland i cili u kujtua vonë të luftonte për vendin e parë.

Italiani Nibali dhe spanjolli Kontador u përpoqën që të vinin në vështirësi disa herë fanellën e verdhë Chris Froome, i cili i ndihmuar shumë nga shokët e skuadrës arriti të mbyllë etapën e 18 në grupin e çiklistëve pretendentë.

Kjo gjë bën që britaniku të qëndrojë në krye të klasifikimit të përgjithshëm me një diferencë prej 3 minuta e 10 sekonda nga Quintana e vendit të dytë.

Të premten Turi i Francës do të vazhdojë me etapën e 19, nga Saint Jean de Maurienne në La Toussuire e gjatë 138 km.
Maloret e fundit alpine në fazën e fundit të këtij turi do të jenë vendimtare për çiklistin i cili dëshiron të fitojë në fund fanellën e verdhë të këtij kompeticioni.

Top Channel