Kosovë, Kuvendi miraton rezolutën e Vetëvendosjes mbi EULEX-in

23/07/2015 00:00

Me 23 vota pro, 23 abstenime dhe 17 kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e ideuar nga Vetëvendosje lidhur me misionin e EULEX-it në Kosovë.

Propozimi është bërë një ditë më parë nga deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila edhe ka nisur debatin në Parlament për veprimtarinë e misionit të BE-së në Kosovë.

Rezoluta e Vetëvendosjes lidhur me misionin e EULEX-it përmban këto pika:

I. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Presidenten e Republikës, znj. Atifete Jahjaga, t’i kërkojë komisioneres së lartë për Politikën e Jashtme, znj. Frederica Mogherini, nisjen e hetimit institucional për çdo rast të cituar për stafin e EULEX-it, në raportin që kanë hartuar zyrtarët e BE-së.

II. Thirren në raportim të jashtëzakonshëm kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, lidhur me aferat në lidhje me ndikimin e çështjeve hetimore të zyrtarëve të EULEX-it dhe marrjes arbitrare të kompetencave të organeve të drejtësisë nga ana e EULEX-it.

III. Raportimi i kryesuesve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës të bëhet 10 ditë nga miratimi i kësaj rezolute.

IV. Kjo rezolutë hyn në fuqi ditën e miratimit të saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Top Channel