SHBA-Iran, me kauzë të përbashkët: miratimin e marrëveshjes bërthamore të Vjenës

23/07/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, si dhe Presidenti iranian, Hassan Rouhani, edhe pse në vendndodhje të ndryshme kanë kundërshtuar ashpër këtë të enjte konservatorët respektivë nëpër shtetet e tyre, të cilët janë përpjekur të bllokojnë ratifikimin e marrëveshjes bërthamore të arritur javën e kaluar.

Në Uashington, Kerry tha përpara ligjvënësve skeptikë se refuzimi i akordit do t’i jepte Teheranit “një dritë jeshile të madhe” për të përshpejtuar programin e tij bërthamor.

Nga ana tjetër, Rouhani, i zgjedhur dy vite më parë me premtimin për të reduktuar izolimin ndërkombëtar të vendit të mbi 80 milionë banorëve, mbrojti gjithashtu marrëveshjen pas kritikave të marra nga Garda Revolucionariste dhe ligjvënës konservatorë, që e konsideronin atë si rrezikuese të sigurisë së Iranit.

Me një kauzë si rrallë herë të përbashkët, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë nevojë ta paraqesin marrëveshjen si tepër normale ndaj dyshuesve, pasi nëpërmjet saj përmbushen synimet respektive të të dyja palëve: kufizimi i programit bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, të cilat kanë goditur ndjeshëm ekonominë iraniane.

Duke dëshmuar përpara Kongresit, Kerry zmbrapsi akuzat e një republikani të shquar, i cili kishte thënë se ai ishte “marrë peng” (mashtruar) nga negociatorët iranianë në raundin e fundit të bisedimeve të zhvilluara në Vjenë. Kryediplomati paralajmëroi për pasojat që mund të vijnë në rast refuzimit të marrëveshjes mes Teheranit dhe fuqive botërore, përfshi këtu edhe SHBA-të.

“Do të kishim prishur rastin më të mirë të mundshëm për të zgjidhur këtë problem përmes rrugëve paqësore e diplomatike”, tha ai përpara Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme në Senatin amerikan. “Fakt është se Irani ka një eksperiencë të konsiderueshme tashmë me teknologjinë e ciklit të karburantit bërthamor”, tha ai në kohën kur Kongresi nisi rishikimin 60-ditor të marrëveshjes, për të vendosur më pas nëse do ta mbështesin apo refuzojnë atë. “Nuk mund t’i bombardojmë këto dije, as nuk mund t’i sanksionojmë ato”.

Top Channel