Maria, “engjëllit” që iu këputën krahët

23/07/2015 00:00

Maria Sholla dashuronte librat, fenë së cilës i përkiste, prindërit, motrën e vëllanë më të vogël. Por i trembej emigrimit, sikur ta ndiente që do të ishte pikërisht ai, që do t’i merrte jetën.

8 ditë më parë, 13-vjeçarja vdiq në Greqi, ku kishte hyrë ilegalisht me të atin Fredin, dhe të ëmën Elonën. Pas një jave plot peripeci, ata hynë të lahen në një lumë, rrjedhja e së cilit nuk e fali vogëlushen, e cila nuk dinte not.

Para nisjes, Maria i kishte kërkuar të atit paratë për të blerë një ditar.

“Tre ditë para se të shkonim në Greqi i dhashë një mijë lekë dhe bleu ditarin, ku hidhte kujtimet dhe përjetimet”, thotë i ati.

Eksperiencën e panjohur më parë e konsideronte të frikshme.

“O ditar, do të më marrë malli për vëllanë dhe për motrën. Po sikur t’i takoj pasi të jenë rritur? Sa dhimbje që kam, sepse nuk është e lehtë të lesh të afërmit e tu dhe të ikësh larg, duke e ditur që kurbeti është dhimbje, është plagë e rëndë, është sakrificë, lodhje, rrezik”.

“Hera e parë qe merrnim vajzën me vete. Nga ekonomia e dobët. Edhe nuk blinim dot pasaportë. As lekë për rrugën nuk kisha”, tha më tej i ati.

Ditarit i kishte besuar edhe ndjesitë e ditës së nisjes, plot nuanca gri.

“Ditari…
sot po iki
sot po shkoj
sot po emigroj
sot po largohem
sot po mësohem
sot po trishtohem
sot po hidhërohem”.

“Maria me këtë (stilolapsin) shkruante ditarin gjatë rrugës. E kthyem në Shqipëri që ta kemi kujtim”, tregon i ati.

Në rrëfimin e saj të fundit, Maria shfaq dhe një dëshirë.

“I dashur ditar, arushi i sekreteve. Më vjen shumë keq, që nuk të kam shkruajtur sot. Por do të t’i tregoj të gjitha. Udhëtova shumë ditë me prindërit e mi. Jam në një pallat, që nuk është as imi, as i prindërve të mi. Por është shtëpia e dy të moshuarve, që nuk kanë gjetur nuse. Zoti dashtë, që të na japin disa lekë për shkollë dhe për të shkuar në Gjermani”.

“Ishte dëshirë e të gjithë familjes. Do shkonim në Gjermani se dëgjuam që jepnin shtëpi”, shprehet i ati.

Sot, pas 8 ditësh, e ëma ka lënë në një cep të shtëpisë rrobat e së bijës, te të cilat gjen ngushëllim.

“Ishte e gëzuar, ishte duke shkruajtur, duke lozur. Ishim në një kënd lojërash dhe po hidhej aq shumë, sa kisha frikë mos rrëzohej. Më tha: Më lër të luaj, se është hera e parë që po loz”, rrëfen e ëma.

Librat ishin pasioni më i madh i Marias.

“Ky ishte libri që po lexonte. Kishte shumë qejf të lexonte libra”, tregon e ëma duke mbajtur në duar librin e Letërsisë Shqiptare të vitit të dytë të shkollës së mesme.

“Që në moshe të vogël nuk iu nda librave. Sidomos libra jashtëshkollorë lexonte shumë”, shton më tej i ati.

Maria nuk mundi të festojë ditëlindjen e 14 të saj.

“Më 15 gusht do të kishte ditëlindjen. Por nuk e festoi dot…”, mbyll rrëfimin e ëma.

Top Channel