Turqia përgatitet për luftë ndaj ISIS? Ngrihen avionët ushtarakë nga Diyarbakiri

23/07/2015 00:00

Një jetë ushtari e humbur dhe Turqisë duket se iu dha arsyeja e mjaftueshme për të ngritur në fluturim avionët luftarakë përgjatë kufirit me Sirinë, në atë që konsiderohet si sinjali i parë i një konfrontimi të armatosur mes forcave ushtarake turke dhe grupit terrorist të Shtetit Islamik.

Ushtria turke ka deklaruar përmes një njoftimi zyrtar se rreth orës 1:30 pas mesdite gjatë së enjtes, një pikë kontrolli kufitare është bërë shënjestër e të shtënave me armë nga 5 xhihadistë të ISIS-it, të cilët përdorën raketahedhës dhe kallashnikovë. Forcat e armatosura u kundërpërgjigjën menjëherë me tanke dhe, pasi vranë një militant dhe shkatërruan 3 mjete me të cilat kishin ardhur ata, sekuestruan edhe armët me të cilat u qëllua paraprakisht.

“Terroristët e Daesh (emërtim arab referuar ISIS) të cilët hapën zjarr ndaj trupave tona u eliminuan dhe municionet e tyre u sekuestruan. Tre mjete që u përkisnin atyre u shkatërruan ndjeshëm pas një sulmi të ndërmarrë nga ne”, lexohej në deklaratë.

Megjithatë, siç bëri të ditur më herët agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, një ushtar turk mbeti i vdekur nga të shtënat dhe dy të tjerë janë plagosur, teksa ngjarja ndodhi në provincën jugore të Kilisit, në kufi me Sirinë.

Mediet lokale bëjnë të ditur se avionët luftarakë F16 janë ngritur në fluturim nga baza e tyre në Diyarbakir drejt kufirit me Sirinë. “Për fat të keq, një prej oficerëve tanë të pamandatuar mbeti martir, ndërsa dy rreshterë u plagosën”, tha Suleyman Tapsiz, guvernator i Kilisit. E megjithatë, pak pasi kaloi pasditja, mediet turke njoftuan se përplasjet kishin përfunduar dhe se ushtria ishte tërhequr.

Turqia ka nisur prej ditësh përforcimin e rajonit kufitar me Sirinë për shkak të avancimeve të militantëve ekstremistë të Shtetit Islamik, si dhe në të kaluarën ka bërë të ditur se nuk do të ndërmarrë asnjë inkursion ushtarak të njëanshëm, por se do të ishte gjithnjë e gatshme të vepronte edhe ushtarakisht nëse do të lindte nevoja.

Top Channel