“Droga” përplas në Kuvend Ramën, Berishën e Tahirin

23/07/2015 00:00

Marrëveshja Shqipëri – SHBA, ku vendi ynë merr 8 milionë dollarë nga Uashingtoni për kontrollin e lëndëve narkotike, megjithëse nuk ka pasur asnjë deputet kundër, ka shërbyer për të rikthyer në Kuvend akuzat e opozitës për lidhje të qeverisë me mafian dhe narko-trafikun.

Sali Berisha: E keni shndërruar Shqipërinë në vendin e instalimeve më të fuqishme të kokainës.

Saimir Tahiri: Shqipëria po bën përpara në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo është arsyeja pse Departamenti i Shtetit vendosi të japë një ndihmë mbi 7 milionë dollarë për qeverinë shqiptare, për qytetarët mbi të gjitha. Lërini shqiptarët të besojnë se në këtë vend mund të ketë përfaqësues politikë të kujtdo krahu që bëhen bashkë kur vjen puna në luftën kundër kriminalitetit.

Sali Berisha: Zotëri ti je shtylla e krimit. Nuk je vetëm përdorues droge, nuk je vetëm biri i kontrabandistit dhe kontrabandistes, të cilit në syrin tend ta plasi policia si sukses të kapjes së Luiza Tahirit dhe Bashkim Tahirit, që blinin ilaçe kontrabandë nga Italia dhe ua shisnin të sëmurëve sa frëngu pulën. Nuk je vetëm ti.

Saimir Tahiri: Shko e thuaji djalit se për të cilën arsye njeriu i parë që u mor në telefon pas shpërthimit të Gërdecit ishte ai?! Shko e thuaji, shko paraqitu në prokurori! Pse nuk i thua vajzës kur doli investitori që i kishte kërkuar përqindjen, shko e dashur vajzë, shko vetë atje?! Përgjigju para drejtësisë, fundja sqaro veten. Ja shikoni Ristanin, ky rri urtë! E bëri dënimin ky atje ku e dënove ti! Në asnjë rrëthanë nuk do të kalojë një ditë të detyrës time pa ju përmendur ca të vërteta që qytetarët ua dinë. Shkoni para drejtësisë atje!
 
Ish-kryeministri ka akuzuar qeverinë për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat, që ka shkaktuar reagimin e shefit të qeverisë Rama.

Sali Berisha: Kush e vrau, sipas të dhënave, Ibrahim Bashan? Miqtë e qeverisë e vranë. E dini ju se Alikot kanë marrë pjesë në fushatën e partisë siçiliste?! A e dini ju që Alikot nuk ishin kurrë në Greqi?! Ishin në Lazarat, Gjirokastër dhe Tiranë sa herë të donin. Lëviznin të lirë dhe të paprekur, paçka se ishin në kërkim. Dhe ke moral këtu e flet për Ibrahim Bashan! Po njerëzit e tu e vranë, ata që lirove ti nga burgu!

Edi Rama: Kur thuhet që dëshmorin e RENEA-s e vrau ministri i Brendshëm me miqtë e tij, kjo nuk është më një çështje politike, kjo është një çështje psikiatrie. Kjo nuk është më një objekt i mundshëm i një debati politik, është padyshim një objekt pune i spitalit psikiatrik.

Edi Paloka: Edhe ata të dy që ky thotë se nuk dihet se kush janë, dihen shumë mirë sepse i kanë vënë tritolin dy herë kryetarit të Partisë Demokratike në Lazarat. E dinte policia shumë mirë, por nuk i preku. Nuk i preku derisa vranë policin. Le të dalë vullnetar ky zotëria bashkë me atë, të shkojnë ta bëjnë testin e drogës. Le të shkojnë ta bëjnë dhe të shohim si dalin, dalin apo jo përdorues droge. Ai tjetri ka qenë në spital në Korçë, ka qenë duke ikur me të shumtët për atë punë.

Edi Rama: U çove si ekspert i fushës. Në fakt ju siguroj që nuk është i droguar (për Edi Palokën), është thjesht i lumtur. Është një nivel lumturie që duhet të rakordojë me një nivel tjetër inteligjence. Për të qenë i lumtur i këtij lloji duhet të kesh aq inteligjencë sa të hapësh gojën kur do bukë, jo më shumë. Kështu që mos e kini fare zili se edhe po të doni ta mbërrini lumturinë e tij, kurrë nuk do të mbërrini dot, sepse ju duhet të keni aq pak inteligjencë sa të mos mbyllni gojën kur ju del ushqimi përpara, jo më shumë. Ky e ka.

Edi Paloka: Atë që bën me gojën dhe me zorrën e trashë, t’i i bën nga të dyja krahët, nëse nuk e kuptove çfarë thashë, kaq e kam nivelin e inteligjencës! Kaq mund të them!

Replikat deri në sulme personale kishin munguar prej shumë seancash. Mesa duket kjo gjuhë ishte lënë të përdorej për këtë seancë, që ishte parashikuar të ishte e fundit, por që me kërkesën e opozitës, mbyllja e sesionit do të bëhet të hënën me seancën e posaçme për miratimin e ligjit të turizmit.

Top Channel