A ka jetë tjetër në hapësirë?!

23/07/2015 00:00

Pyetja e Jeff Coufflin, njërit prej shkencëtarëve të NASA-s gjatë telekonferencës së titulluar “A jemi te vetëm në univers?”, është cilësuar si retorike për disa ekspertë.

Ndoshta sipas tyre, ky është një sinjal që NASA ka informacion më shumë se në planetin e ri ka krijesa të tjera, të cilat në planetin Tokë i njohim me termin Alienë. Por fakti se një planet ka kushte për të qenë i banueshëm, nuk do të thotë që atje mund të jetë krijuar jetë.

Shkencëtari i mirënjohur Stephen Hawking është shprehur se njerëzimi është një hap më pranë të kuptuarit nëse jemi të vetëm në univers apo jo.

Një grup shkencëtarësh sapo kanë lëshuar 64 milionë paund investim për një kërkim inteligjent, i cili do të kërkojë për një jetë paralele në planete të tjera. Ai do të kryhet me radioteleskopë të teknologjisë më të fundit.

“Është e rëndësishme për ne, nëse jemi të vetëm në errësirë”, tha Hoaking. Ndërsa profesori Matthew Bailes, nga Universiteti i Melbourne në Australi, i shkon përtej këtij argumenti dhe thotë se nëse kjo tezë është e vërtetë, qeniet njerëzore duhet të mendohen dy herë para se të kërkojnë me kaq ngulm kontaktin me një alienë.

Sipas Bailes, kjo mund të na çojë drejt një katastrofe, sepse alienët janë shumë herë më të avancuar se sa ne.

“Historia ka treguar se takimi i një civilizimi të prapambetur, me një të avancuar, nuk ka një fund të lumtur”, e ka mbyllur profesori australian.

Megjithatë “Kepler 452 B” është një planet që ngjall kureshtje për shkak të ngjashmërisë së shumëpërfolur me Tokën, por parametrat e tij ende nuk flasin se ekziston një jetë paralele si ne, përveçse ekzistencës së mikrogjallesave.

Ajo që është e mundshme, sipas ekspertëve, është fakti se nëse një ditë, një nga  gjeneratat e ardhshme do të hedhë sytë diku tjetër, për një tjetër mundësi jete, emri i parë që do t’u shkojë në mendje do  të jetë planeti “Kepler 452 B”.

Top Channel