Libi, mbytet varka me 120 emigrantë, 40 të zhdukur

24/07/2015 00:00

Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në Mesdhe. Një varkë me rreth 120 emigrantë është mbytur të mërkurën pranë brigjeve të Libisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se rreth 40 emigrantë mendohet të kenë humbur jetën, të paktën sipas personave që arritën të shpëtonin. Rreth 90 emigrantë, mes tyre gra dhe fëmijë, u shpëtuan nga autoritetet italiane dhe u dërguan më pas në Itali.

Shifrat e publikuara nga OKB-ja janë alarmante. Rreth 60 mijë emigrantë kanë tentuar të kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut vetëm gjatë këtij viti. Rreth 1800 kanë vdekur, shifër kjo 20 herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të 2014-ës.

Emigrantët besohet të kenë qenë nga shtete si Senegali, Mali dhe Benini, ka thënë zëdhënësi i organizatës “Save the Children” për BBC.

Ndërsa një zëdhënës i agjencisë së refugjatëve të OKB-së tha për AFP se emigrantët e shpëtuar u dërguan në Augusta, Sicili, dhe konfirmuan se rreth 40 persona nuk kanë arritur të mbijetojnë.

Çdo vit, me dhjetëra mijëra emigrantë kërkojë t’i shpëtojnë varfërisë dhe konflikteve në Afrikë dhe Lindjen e Mesme duke u nisur për në Europë.

Një seri tragjedish janë regjistruar këtë vit. Në muajin prill, rreth 800 emigrantë u mbytën, një ngjarje e cilësuar si më e rënda në Detin Mesdhe.

Top Channel