Obama: Ligji për armët, shqetësimi im më i madh

24/07/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka pranuar se dështimi i tij për miratimin e një ligji për sigurinë e armëve në Shtetet e Bashkuara përbën dëshpërimin më të madh të tij.

Në një intervistë për BBC, Obama ka deklaruar se, ka qenë “shqetësues” fakti që në këtë çështje nuk është arritur asnjë progres, “edhe përpara masakrave të vazhdueshme që janë verifikuar”.

Megjithatë, ai është zotuar se do të vazhdojë përpjekjet. Vetëm pak orë pas intervistës, një person i armatosur hapi zjarr në një kinema në shtetin amerikan të Luizianës, duke vrarë dy persona dhe plagosur disa të tjerë, para se të vriste veten.

Por, kur i kanë mbetur vetëm 18 muaj në detyrë, presidenti ka theksuar se kontrolli i armëve ka qenë çështja më delikate me të cilën ai është përballur që nga ardhja në pushtet në vitin 2009.

“Nëse sheh numrin e amerikanëve të vrarë që prej sulmeve të 11 shtatorit nga terrorizmi, ai është më pak se 100. Nëse shihni numrin e të vrarëve nga dhuna e armëve, ai është disa dhjetëra mijëra”, ka thënë Obama.

Presidenti amerikan ka bërë disa herë thirrje për një kontroll më të rreptë mbi armët, por deri më sot nuk ka mundur të sigurojë ndryshimet e duhura ligjore.

Vetëm muajin e kaluar, 9 afro-amerikanë u vranë në një kishë në Karolinën e Jugut nga një i ri i armatosur, në atë që u cilësua si “krim urrejtjeje”.

Top Channel