Kore e Jugut, kërcënonte ambasadorin amerikan, arrestohet

24/07/2015 00:00

Policia në Korenë e Jugut ka arrestuar një person të akuzuar për kërcënime të bëra online, se do të vriste ambasadorin amerikan në Seul.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia “Yonhap”. Personi, i identifikuar vetëm me mbiemrin e tij Lee, dyshohet se e postoi kërcënimin e tij në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë më herët gjatë muajit.

Agjencia e lajmeve njofton se Lee, i cili i mohon akuzat, u arrestua më 14 korrik me kërkesë të autoriteteve amerikane dhe në laptopin e tij janë gjetur edhe kopje të mesazhit të postuar online.

Ambasadori amerikan në Seul, Mark Lippert u plagos me thikë vitin e kaluar. Ai pësoi një prerje të thellë në fytyrë kur një nacionalist korean e sulmoi kur ai ndodhej në një takim në një hotel.

Burimi mediatik koreano-jugor shton se në kompjuterin personal të Lee u konstatua se ai kishte vizituar disa herë faqen e Shtëpisë së Bardhë dhe se kishte ruajtur përmes një “print screen” postimin e tij.

Policia deklaroi se gjasat janë që i arrestuari të ketë vepruar i vetëm, ndërsa një zëdhënëse e Ambasadës Amerikane në Seul deklaroi se, kërcënimi nuk ka prekur aktivitetet e zotit Lippert.

Top Channel