Shteti Islamik, FBI: Po rritet frikshëm rekrutimi online

24/07/2015 00:00

Fushata e terrorit, pushtimi i territoreve në Siri e Irak dhe organizimi shtetformues, padyshim e bëjnë sot ISIS-in në sytë e një pjese të mirë të ekspertëve grupimin më të frikshëm xhihadist të momentit.

Por që Shteti Islamik përbën një kërcënim edhe më të madh terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara sesa vetë Al Kaeda, këtë e pohoi publikisht dhe shefi i FBI-së, James Comey.

Në deklaratën e bërë gjatë forumit vjetor të sigurisë në Aspen të Kolorados, Comey tërhoqi vëmendjen sidomos tek rrezikshmëria e lartë që paraqesin sipas tij përpjekjet e ISIS për rekrutime në internet.

“Shteti Islamik është duke e intensifikuar fushatën në mediat sociale. E shohim që ndikimi i tij sidomos tek të rinjtë po shtohet. Njerëzit përpiqen të zbulojnë se çfarë duan të bëjnë në jetë. Numri i të rekrutuarve po rritet. Ndikimi i grupit ekstremist është i madh sidomos në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Comey.

Në sqarimet e Comey shihet qartë se Al Kaeda tregohet më e kujdesshme në përzgjedhjen e operativëve të saj, ndërsa Shteti Islamik ka një rrjet më të gjerë të rekrutuarish, duke u përqendruar sidomos tek personat e paqëndrueshëm dhe përdoruesit e drogës.

Situata e krijuar e shtyn FBI-në të hapë qindra hetime ndaj amerikanëve të radikalizuar, apo atyre që kanë synuar të kryejnë sulme terroriste.

Top Channel