Konstituohet Këshilli Bashkiak i Elbasanit

24/07/2015 00:00

Është konstituuar këtë të premte Këshilli Bashkiak i Elbasanit, i dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit. 51 anëtarët, konkretisht 35 të ASHE dhe 16 të APPD bënë betimin në mbrojtje të Kushtetutës, ligjeve shqiptare dhe interesave të qytetarëve të Elbasanit.

Të pranishëm në këtë konstituim ishin deputetë të PS dhe LSI, si dhe ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i cili i dorëzoi shiritin kryetarit të zgjedhur, Qazim Sejdini, duke u shprehur për sfida të mëdha që presin pushtetin vendor pas reformës territoriale.

Pasi bëri betimin, Sejdini falenderoi qytetarët për besimin, ndërsa edhe një herë u zotua për mbajtjen e të gjitha premtimeve të dhëna në fushatë.

Në këtë takim nuk mungoi edhe zëri i opozitës, e cila pas dy mandateve nuk e ka më shumicën në këshill. Të djathtët shprehën pakënaqësi për reformën territoriale, e cilas sipas tyre është e mangët dhe bashkia e re, thanë ata, sot gjendet e zbuluar pasi nuk ka asnjë dispozitë paraprake për funksionimin e saj.

Sipas procedurave, me votim të fshehtë u zgjodh kryetari i ri i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Altin Idrizi, i cili ishte e vetmja kandidaturë e propozuar. Nga ana e saj, opozita nuk pranoi të propozonte asnjë kandidaturë.

Top Channel