Ligji i ri për turizmin, rikthehen debatet në komision pas dështimit të seancës

24/07/2015 00:00

Opozita, e cila pranoi standardin e dyerve të mbyllura në mbledhjen e sotme të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, deklaroi se nuk do të votojë ligjin për turizmin që i kaloi Parlamentit përmes një procedure të padrejtë, siç shprehet ajo, të ndjekur nga kryesia e Kuvendit dhe vetë komisioni.

Një ditë më parë, deputetë të opozitës kundërshtuan shqyrtimin e ligjit për turizmin në seancë plenare, pasi deklaruan se nuk ishin lajmëruar për të marrë pjesë në shqyrtimin përfundimtar të tij në komision.

Sot, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura për të sqaruar debatin mbi projektligjin e miratuar të martën prej tij në versionin e qeverisë, pavarësisht dhjetëra mbledhjeve e seancave dëgjimore me grupet e interesit.

“Komisioni ka rreth katër muaj që po merret me këtë ligj. Kemi bërë mbi 10 mbledhje, 3 nga të cilat janë bërë me grupet e interesit. Kemi patur kontribut pozitiv për të përmirësuar ligjin, i cili jo vetëm ka koncepte të gabuara, por dhe një përqëndrim të tepruar të kompetencave në një ministri të vetme, në një moment kur të dyja palët ramë dakord që ligji do më tepër punë për të dalë një draft pozititv dhe që miratimi të bëhej në shtator. Duke kapur interpretime në mënyra të caktuara të rregullores, në mënyrë arbitrare u tentua të futej që dje”, deklaroi deputeti Genc Ruli, nënkryetar i komisionit.

“Ditën e martë, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi dy marrëveshje të rëndësishme me Republikën Federale Gjermane dhe në fund të mbledhjes unë kam njoftuar personalisht deputetët që të mblidhen në darkë për të shqyrtuar ligjin për turizmin. Kemi një ligj të propozuar nga qeveria shqiptare, ndërkohë që nuk ka asnjë propozim me shkrim për amandamente të veçanta nga deputetët”, u përgjigj Eduard Shalsi, kryetar i komisionit.

Projektligji për turizmin do të shqyrtohet në një seancë të posaçme në Parlament të hënën, kur opozita thotë se do të deklarojë kundërshtitë e saj ndaj tij. 

Top Channel