Tiranë, shembet objekti pa leje pranë pedonales

24/07/2015 00:00

Është prishur një natë më parë një ndërtim i paligjshëm që kishte nisur të ngrihej mbi themelet e kalasë pranë pedonales, në një ndër zonat muzeale më të njohura të kryeqytetit.

Objekti kishte nisur të ndërtohej muaj më parë nga kompania “IDA Sh.A”, por vetëm kur kishte mbërritur në një lartësi të konsiderueshme institucionet në mbrojtje të monumenteve të kulturës kanë reaguar duke i kërkuar Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit të ndërhynte.

Sipas IKMT, pas denoncimit të bërë nga Drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës është ushtruar një kontroll i objektit më datë 22 korrik, kur është firmosur një procesverbal për prishjen e tij.

Vetëm një natë më parë, objekti ka nisur të prishet nga punëtorët e vetë kompanisë dhe mëngjesin e sotëm ai ishte rrafshuar i tëri.

Bashkia e Tiranës, përmes nënkryetarit Enno Bozdo ka deklaruar mëngjesin e sotëm se ndërtimi po bëhej nga klientë të kryeminsitrit Rama dhe vetëm 60 metra larg Ministrisë së Brendshme, por pa shpjeguar përse bashkia nuk kishte reaguar deri më tani, kur në fakt ndodhet po aq larg sa ministria?

“Me bekimin e Ramës, me bekimin e IKMT-së, po lejohet të ndërtohet një subjekt në një zonë që sipas ligjit të trashëgimisë kulturore nuk duhet të lejohet. Subjekti ka filluar ndërtimin në qendër të Tiranës në një zonë arkeologjike. I bëjmë thirrje Ramës ta ndalojë këtë ndërtim, sepse po vepron me dy standarde. Kjo është e turpshme dhe e patolerueshme. Rama lejon të ndërtojnë vetëm miqtë e tij. Rama bëri një ndërtim edhe në selinë e kryeministrisë, duke i dhënë pamjen e një moteli e shumë e shumë ndërtime të tjera”, ka deklaruar Bozdo.

Prishja e këtij objekti pa leje erdhi falë denoncimit dhe reagimeve të shumta të opinionit publik në rrjetet sociale. Tanimë, vetë punëtorët e kompanisë janë duke bërë pastrimin e zonës nga mbetjet inerte.

Ndërkohë nuk dihet nëse do të ketë ndjekje penale për pronarin e këtij objekti, apo dhe firmën ndërtuese, ashtu sikurse sanksionohet me ligj.

Top Channel