PD: Kanabisi po lëshon rrënjë në gjithë vendin me bekimin e qeverisë

24/07/2015 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetit Gent Strazimiri ka rikonfirmuar akuzat ndaj qeverisë për përfshirje në trafikun e drogës, duke e konsideruar një “fakt tronditës” përhapjen masive të kultivimit të drogës në Shqipëri.

“Muajt e fundit kanabisi ka lëshuar rrënjë në gjithë territorin e vendit. Nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, harta e Shqipërisë po merr ngjyrën e drogës. Kjo është një fatkeqësi për shqiptarët, burim krimi e rrënimi, por është një biznes që po sjell fitime marramendëse për trafikantët e lidhur me qeverinë”, ka deklaruar Strazimiri.

Sipas tij, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, “me mbikqyrjen e ministrit të Brendshëm”.

“Është e qartë se njerëzit refuzojnë me përbuzje propagandën false e mashtruese të fidanëve e disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran, gjoja si sukses të luftës ndaj drogës. Fakti është se kultivimi masiv në çdo cep të vendit ndodh me bekimin e qeverisë, me lejimin e këtij biznesi kriminal për kapot e lidhur me mazhorancën. Bie në sy veçanërisht lulëzimi i madh i drogës në territoret e bashkitë ku kanë marrë pushtetin trafikantët e njohur, si në Krujë, Tepelenë, Malësi e Madhe. Në shumë territore, tashmë janë zgjedhur baronët lokalë, të përzgjedhurit e të besuarit e Edi Ramës”, ka thënë Strazimiri.

Ai e ka akuzuar kryeministrin si frymëzuesin kryesor të kësaj fushate droge, arsye për të cilën mazhoranca po i bën rezistencë e dekriminalizimit, “megjithë denoncimet me emra nga ana e partnerëve ndërkombëtarë”.

“Ndërkohë, zgjidhet të bëhen koka turku cironkat e këtij trafiku, për të mbuluar kokat e mëdha të kanabisit dhe personat me “kontribut” në fushatën e fundit elektorale, të cilët paraprakisht kanë marrë garanci prej shtetit dhe krimit që e drejton”, ka thënë Strazimiri.

Ai është shprehur se, “kjo politike narko-enveriste e Edi Ramës po gërryen vendin duke e futur në një spirale kriminale, që do të kërkojë shumë kohë e mund për ta nxjerrë jashtë e për ta shpëtuar”.

“Po e damkos Shqipërinë si në ditët e errëta duke e kthyer në republikë të drogës. E gjitha kjo sjell përfitime për klanet kriminale të lidhura me qeverinë, por po dëmton rëndë të ardhmen e vendit, të rinisë dhe fëmijëve tanë. Partia Demokratike nuk do lejojë që droga të kthehet në model, rend e sundim. Bashkë me shqiptarët do pastrojmë Shqipërinë nga droga dhe trafikantët e vërtetë që gjendën në parlament e në qeveri”, ka shtuar Strazimiri. 

Top Channel