Donatorët, vizitë në Athinë; kërkohet bashkëpunim i të gjitha partive

24/07/2015 00:00

Teksa qeveria greke përgatitet të nisë bisedimet me kreditorët ndërkombëtarë, në rrugët e Athinës përcillet shpresa se negociatat më në fund do të arrijnë t’i japin një zgjidhje situatës e çdo gjë do të nisë ngadalë rikthimin në normalitet.

Zyrtarë të bllokut europian dhe BQE-së pritet të mbërrijnë në kryeqytetin grek për të diskutuar paketën 86 miliardë euroshe në këmbim të reformave që kanë ngjallur jo pak polemika në vendin e goditur prej një krize ekonomike disa vjeçare.

Ka mjaft spekulime se kryeministri Aleksis Tsipras do të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Juristi 35-vjeçar, Nikos Nizis, nuk e mbështet një ide të tillë, por mendon se më e mira në këtë situatë të vështirë për vendin do të ishte bashkëpunimi i partive opozitare.

“Mendoj se ky është momenti që të gjitha partitë politike të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Kjo është ajo që i nevojitet vendit sot”, ka thënë Nizis.

Në të kaluarën, zyrtarët e institucioneve ndërkombëtare huadhënëse janë pritur me armiqësi të madhe në Athinë, megjithatë gjërat duken se kanë nisur të ndryshojnë. Pensionistja Efterpi Koumourtzoglou e mirëpret mbërritjen e tyre.
 
“Ne duhet të na vendosin nën një program të përhershëm të BE-së, sepse vetëm kështu do të ketë rregull në këtë vend. Ku është dinjiteti ynë? Në këtë mes, jemi ne ata që e kemi humbur dinjitetin”, thotë ajo.

Disa pronarë biznesesh të vogla i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se shpresojnë shumë që ekonomia greke, e mbytur prej kontrolleve gati 4 javore të kapitalit, do të fillojë të lëvizë sërish. Të tjerë, siç ishte rasti i një llogaritari të identifikuar vetëm si Yannis, vazhdojnë të ndajnë bindjen se e vetmja mënyrë për të pasur rritje ekonomike është dalja nga zona e euros dhe rikthimi tek dhrahmia. Sipas gazetës Ta Nea, ekzekutivi grek po nxiton që t’i përmbyllë negociatat brenda muajit gusht me shpresën që marrëveshja të vuloset në kohën kur fraksionet rebele brenda Syrizës, të jenë duke shijuar pushimet.

Top Channel