A është Italia si Greqia?

24/07/2015 00:00

Parë nga syri i Berlinit apo i Londrës, telashet ekonomike të Athinës ngjasojnë shumë me ato të Romës. Që të dyja rrinë ulur mbi male të borxhit publik e vuajnë prej një papunësie të lartë dyshifrore.

Atëherë përse nuk i mbyll Italia bankat, përse nuk i nënshtrohet masave shtrënguese në këmbim të dorëzanive të emergjencës e nuk diskuton daljen nga eurozona? Për momentin, thote Bloomberg, ajo po çapitet e po arrin të paguajë borxhet e të shesë letra me vlerë. Indeksi bazë i aksioneve i është rritur këtë vit me 25%.

Është duke dalë nga një recesion rekord në kohën kur Greqia po i hyn një të tatëpjete të re ekonomike. Eni, kompania e katërt më e madhe e naftës në Europë, prodhon 1, 7 milione fuçi në dite dhe është në rritje.

Finmeçanica i shet helikopterë korporatave dhe forcave të armatosura nga Britania e Madhe deri në Kin. Mallrat italiane të luksit, nga Fendi tek Ferrari, kryesojnë listat e blerjes së konsumatorëve të përzgjedhur. Për sa i takon industrisë përpunuese, në prodhim, vetëm Gjermania ia kalon. Po grekët çfarë kanë? Vetëm turizmin, anijet dhe ndonjë gjë tjetër të vogël, kaq thote Marc Ostwald i ADM Investor Service në Londër.

Eksportet greke, sipas specialistit, ranë 7,5% në tremujorin e parë të vitit, ndërsa ato italiane u rritën me 3%. Turizimi në Itali ka gjeneruar sivjet rreth 34 miliardë euro, pothuajse trefishin e fitimeve të regjistruara prej tij në shtetin helen. Historia pastaj, vazhdon Bloomberg, ka dhe ajo pjesën e saj. Në procesin e rimëkëmbjes pas Luftës së Dytë Botërore, Italia shijoi vitet e Dolce Vita-s e nisi të lërë shenjen e saj nëpër botë. Greqia ndërkohë kaloi nga një qeverisje civile, në junte ushtarake e më vonë, në republike të udhëhequr prej një elite politike e një ekzekutivi të tejfryrë.

Por edhe pse të gjithë këta faktorë së bashku e ndihmojnë fqinjin tonë përtej Adriatikut të qëndrojë në këmbë, Bloomberg nuk e përjashton krejtësisht mundësinë që Italia të kthehet në Greqinë e ardhshme. Borxhet e mëdha, ekonomia në ngërç, e shërbimi publik i fryrë dhe joefikas ushqejnë profecitë e një rrëzimi të saj. Megjithatë, edhe pse gjendja është e keqe, vazhdon revista prestigjoze financiare, Italia të paktën, nuk është Greqi.

Top Channel