Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset një 26-vjeçar

24/07/2015 00:00

Një 26-vjeçar ka mbetur i plagosur mesditën e së premtes në kryeqytet, pas një atentati të kryer ndaj tij nga persona ende të paidentifikuar.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugen “Hoxha Tahsim” në Tirane, ku i plagosuri, i identifikuar më pas si Xhevair Shabani nga Miloti, ka qenë pranë automjetit të tij kur është qëlluar të paktën 2 herë nga një person i cili ishte në një motoçikletë.

Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi nga vendngjarje, ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në spital, ku raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendgjarje ku kanë nisur punën për identifikimin e autorit të plagosjes dhe motivet e kësaj ngjarje.

Veç dëshmive të shumta të mbledhura, grupi hetimor ka sekuestruar dhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve përgjatë rrugës “Hoxha Tahsim”, me shpresën se në to mund të arrijnë të dallojnë dhe të identifikojnë autorin e plagosjes.

Top Channel