Dërgohet për gjykim dosja ndaj gjyqtares së arrestuar për korrupsion

24/07/2015 00:00

Prokuroria për Krime të Rënda ka dorëzuar për gjykim dosjen në ngarkim të Parashqevi Ademit, gjyqtare e Lezhës dhe Gjovalin Ndokaj, avokat po në Lezhë, që të dy të akuzuar për korrupsion.

Arrestimi i dy të pandehurve u bë pas publikimit në emisionin investigatv “Fiks Fare”, të rastit të korrupsionit, ku ata i kanë kërkuar një personi 200 mijë lekë të reja, për t’i dhënë këtij të fundit një masë dënimi me kusht. Ndokaj ishte caktuar nga lista e gjyqtarëve kryesisht për të mbrojtur interesat e A.P. dhe nënës së tij, M.P.

Paraprakisht, ky avokat i ka thënë A.P. se ai dhe mamaja e tij rrezikonin të dënoheshin me burg deri në tre muaj, më vonë u ka thënë se mund të dënoheshin me një gjobë rreth 50 mijë lekë të rinj, duke i ofruar edhe një kafe gjyqtares së çështjes.

Më datë 09.06.2015, kur A.P ka patur seancën e radhës, avokati Gjovalin Ndokaj u ka thënë se “kishte folur me gjyqtaren dhe se duhej t’i jepnin 2 milionë lekë të vjetra gjyqtares për të mbyllur çështjen dhe ata do dënoheshin me 18 muaj me kusht dhe do bënin punë në dobi të Bashkisë”.

Ky fakt është denoncuar në Prokurorinë për Krime të Rënda, e cila dy ditë më vonë, më 11 qershor ka arrestuar në flagrancë me akuzën e korrupsionit pasiv gjyqtaren dhe avokatin. Dy të ndaluarve në momentin e arrestimit u është gjetur edhe shuma e parave të marra nga shtetasi me inicialet A.P.

Top Channel