Montezemolo, në “Murin e Famës” së Automobilizmit: Ua dedikoj Schumit dhe Ferrarit

24/07/2015 00:00

Ish-presidenti i Ferrarit, Luca Cordero di Montezemolo, ka qenë i pranishëm në një event të zhvilluar në Detroit, kryeqytetin e automobilave, e kishte udhëtuar prej Italisë enkas për t’u shpallur si person i listuar në “Murin e Famës së Automobilizmit”, kjo edhe për shkak të karrierës së tij te Ferrari.

Duke iu dhënë mundësinë fansave të shumtë ta shohin nga afër, Montezemolo ka folur gjatë për Ferrarin dhe sukseset e tij përgjatë karrierës 30-vjeçare në krye të “kokëkuqes”, por e folura e tij dukej si të ishte ende në krye dhe jo i dorëhequr. Janë pikërisht sukseset e arritura me Ferrarin, që e kanë futur atë në listën e emrave të paharruar të botës së automobilizmit.

Montezemolo është italiani i shtatë që merr një çmim të tillë, pas Enzo Ferrarit dhe Giovanni Agnellit, i teti nëse konsiderohet italian edhe Mario Andretti. Kujtimi i tij kryesor, sigurisht nuk mund të mos ishte për Michael Schumacherin.

“Nuk e di nëse do të mund ta merrja këtë çmim pa të. Pikërisht atij ia dedikoj këtë vlerësim, sepse në këto kohë po përpiqet të fitojë garën e tij më të vështirë (e këtu përlotet disi). Nuk ka qenë vetëm një shok pune, por mbi të gjitha një mik me të cilin kam ndarë shumë gjëra të tjera. Mendimi se tashmë është i lidhur prej një kohe të gjatë me krevatin është i trishtueshëm”, është shprehur Luca di Montezemolo, i cili më pas ka kërkuar të shfaqet përpara 470 të ftuarve në atë ceremoni një video dedikuar legjendës së Ferrarit dhe Formula 1.

Më pas u njeh kontributet edhe figurave të tjera të shquara të skuderisë nga Maranello. “Bëra historinë time te Ferrari, por arritja e kaq shumë sukseseve ka qenë edhe për shkak të kontributit të shumë personave të tjerë, si Jean Todt, Stefano Domenicali, Ross Brawn dhe të tjerë”.

Top Channel