Zgjerohet rruga hyrëse për në Parkun e Divjakës

24/07/2015 00:00

Në zonën turistike të Divjakës kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës hyrëse, me një fond prej 1.8 miliardë lekësh, akorduar nga qeveria shqiptare.

“Është një projekt ku janë të përfshirë të gjithë elementët, duke filluar që nga pista e biçikletave, trotuaret, gjelbërimi, ndriçimi, që do të jetë edhe një risi për këtë qytet”, u shpreh Fredi Kokoneshi, kryetar i Bashkisë së Divjakës.

Bashkë me ndërtimin e rrugës 3 km të gjatë do të kryhen ndërhyrje dhe në pallatet dhe objektet e tjera, që shtrihen përgjatë këtij projekti.

Aksi rrugor zgjerohet me 10 metra; do të ketë dy korsi, të ndara në mes nga dy breza gjelbërimi; por edhe trotuaret do të jenë të gjera deri në 8 metra.

Teknologjia për ndërtimin e rrugës, që në 2 km të saj kalon përmes Parkut Kombëtar, përfshin standardin kundër lagështirës, teknologji që përdoret edhe për ndërtimin e autostradave.

Top Channel