Gjykata Speciale brenda verës. Mustafa: S’ka pushime pa e votuar

24/07/2015 00:00

Kryeministri Isa Mustafa në një konferencë për media, tha se janë duke punuar për riprocedimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, duke bërë të ditur se është kërkuar nga deputetët që të mos shkojnë në pushime pa i miratuar ato, por pa dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodh një gjë e tillë.

“Çështja e Gjykatës Speciale është çështje në të cilën po punohet. Ajo që tash mund t’iu them është se kemi kërkuar nga deputetët që të mos shkojnë në pushime para se Kuvendi të vendosë për Gjykatën Speciale, përkatësisht para se ta riprocedojmë në Kuvend. Nuk mund të flas për data, por iu flas për një përkushtim të qeverisë që ajo çështje të kryhet dhe jemi të përkushtuar që të bëhet para pushimeve të Kuvendit”, u shpreh kryeministri Mustafa.

I pyetur lidhur me moszbatimin e marrëveshjes për policat e sigurimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Mustafa tha se kjo marrëveshje nuk është shfuqizuar, por nuk po zbatohet nga Serbia.

“Serbia nuk iu ka përmbajtur afateve që sot të fillojë implementimi i marrëveshjes. Pra, nuk kemi anulim apo pezullim të marrëveshjes. Serbia ka informuar se nuk është në gjendje që nga dita e sotme të implementojë marrëveshjen për arsye se duhet të punojë t`i përmbushë disa prej detyrimeve që janë në marrëveshje. Nuk është caktuar se cila është data e ardhshme e fillimit të aplikimit të marrëveshjes. Nuk do të ketë negociata të tjera për ketë çështje sepse ato janë mbyllur dhe marrëveshja është firmosur nga përfaqësuesit e Kosovës, Serbisë dhe BE-së, pra mbetet vetëm që të implementohet marrëveshja”, deklaroi Mustafa.

Ai bëri të ditur se do të kërkojnë nga Bashkimi Europian që të ndërhyjë dhe të kërkojë zbatimin sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje.
Megjithatë, kryeministri Mustafa shtoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë, por do të insistohet në Bruksel që marrëveshjet e arritura të zbatohen në terren.

Top Channel