Shkon për të mbushur dy dhëmbë, dentisti i shkul dhe të tjerët

24/07/2015 00:00

Shkoi për të vënë vetulla, por nxorri sytë! Kështu mund të përkufizohet aventura e hidhur e një ushtarakje amerikane te dentisti.

Alison Divers krisi dy dhëmbët e parë teksa ishte duke ngrënë një mollë. Ishte 25 vjeç dhe iu drejtua dentistit të bazës ushtarake ku ishte me shërbim në Gjermani. Dentisti arriti në përfundimin se asaj i nevojitej një shërbim më i specializuar dhe për këtë e adresoi të një dentist tjetër, civil dhe jashtë bazës.

Ajo thotë se asnjëherë nuk i ka pasur frikë dentistët, as kur ka qenë fëmijë, ndaj iu drejtua besimplotë me shpejtësi adresës së marrë nga dentisti i bazës.

Me të mbërritur atje, Alison e vë në dijeni dentistin se ishte imune ndaj anestezisë lokale, ndaj u ra dakort që t’i nënshtrohej një anestezie të përgjithshme.

“Pranova duke menduar që do të ishte shumë më mirë për mua, pasi do të flija dhe do të zgjohesha më dhëmbët e rregulluar”, thotë ajo.

Por ajo që ndodhi në të vërtetë ngjason më shumë me skenarin e një filmi horror. Gjëja e parë që pa 25-vjeçarja kur u zgjua ishte një qese plastike e mbushur me dhëmbë dhe e varur mbi kokën e saj. Iu desh pak kohë të kuptonte se çfarë kishte ndodhur dhe e alarmuar nisi t’i ulëriste dentistit.

Mungesa e dhëmbëve ja bëntë të vështirë shqiptimin e fjalëve, aq më tepër që i duhej t’i fliste gjermanisht dentistit, i cili iu përgjigj shkurt duke i thënë se nuk e kuptonte se çfarë po thoshte.

Alison rrëfen se pas kësaj qëndroi e mbyllur në shtëpi për më shumë se 1 muaj.

“Humba vetëbesimin. Akoma s’mund të besoja se çfarë me kishte ndodhur. Nuk haja dot, nuk flija. Kam qarë për 1 muaj më radhë”, thotë ajo.

Një ditë gjeti kurajon dhe doli nga shtëpia duke iu adresuar menjëherë dentistit të bazës së ushtrisë. Ky i fundit mendoi si zgjidhje protezat.

“Më vendosi një palë proteza. Ato nuk janë dhëmbë, janë plastikë dhe sa herë që haja ndjeja shijen e plastikës në gojë”, rrëfen Alison.

Alison nuk ishte e lumtur me zgjidhjen e dhënë, që për vite me radhë e kishte mbajtur larg ose të rezervuar në publik. Ajo iu drejtua një klinike estete stomatologjie në Londër, ku pas analizave që vërtetuan se kishte rrënjët për t’iu nënshtruar mbjelljes së dhëmbëve, nisi menjëherë procedurën.

Brenda pak javëve Alison u bë me dhëmbët e rinj dhe shprehet e kënaqur që makthi i saj disavjeçar mori fund.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel