Obama, vizitë historike në Kenian e të parëve. Kërkon luftë për të drejtat dhe korrupsionin

24/07/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka bërë të ditur se do të vazhdojë t’u japë “mesazhe të drejtpërdrejta” udhëheqësve afrikanë në lidhje me të drejtat e homoseksualëve dhe diskriminimin, por një fokus më vete ka edhe korrupsioni.

“Nuk jam një fans i diskriminimit dhe bulizmit ndaj dikujt, vetëm e vetëm për shkak të racës, besimit, orientimit seksual apo gjinisë”, tha ai ndër të tjera gjatë një interviste për BBC.

Presidenti Obama ka mbërritur tashmë në vendlindjen e të parëve të tij, Kenia, e më pas do të vizitojë edhe Etiopinë. Ky udhëtim, sipas tij, tregon edhe njëherë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar terrorizmin në Afrikën Lindore.

Gjatë intervistës së dhënë për redaktorin përgjegjës për Amerikën e Veriut në BBC, Jon Sopel, përpara se të largohej nga Uashingtoni, Obama u shpreh gjithashtu edhe në lidhje me atë që e konsideron si dështimin e tij për “të kaluar ligjet mbi sigurinë ndaj armëve” në SHBA, gjë që përbën edhe irritimin më të madh gjatë Presidencës së tij.

Ai preku edhe çështje të tjera si qëndrimi – sipas tij i domosdoshëm – i Britanisë së Madhe në BE për të pasur influencë në arenën botërore, sikurse edhe për besimin që ka në lidhje me miratimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin nga Kongresi amerikan. Siria nuk mund të lihej mënjanë, teksa sugjeroi se vendit të Lindjes së Mesme i duhet një zgjidhje politike në mënyrë që të përballet dhe të mposhtë grupin e Shtetit Islamik.

Një lavdërim, sigurisht, e ka edhe për SHBA-të që siç thotë, pavarësisht tensioneve raciste të kohëve të fundit, po bëhen më të diversifikuara dhe më tolerante.

Kjo është vizita e parë e Obamës në Kenia, që kur është bërë President i SHBA-ve. Ai do të jetë edhe udhëheqësi i parë amerikan që do të flasë përpara Unionit Afrikan, kur të udhëtojë drejt Etiopisë gjatë së dielës.

Në Kenia, kur kanë mbetur ende shumë orë përpara se Obama të shkelë tokën, kryeqyteti Nairobi është futur në “shtetrrethim”, teksa shumë rrugë janë bllokuar dhe njerëzit janë urdhëruar të qëndrojnë brenda në shtëpi.

Pavarësisht se është udhëtimi i parë i Obamas në Kenia (vendlindja e babait të tij), ky është udhëtimi i pestë i tij si President i SHBA-ve në vendet afrikane. Në disa vende të Afrikës, ai është përballur me kritika të ashpra për shkak të ligjërimit të martesave mes homoseksualëve në SHBA. Ndaj dhe, për BBC-në, ai u shpreh se nuk do të heshtë për këtë çështje.

Kreu i SHBA-ve pranoi gjithashtu se disa qeveri afrikane, përfshi atë të Kenias, kanë nevojë të përmirësojnë rekordet e tyre mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Gjithsesi, ai mbrojti vendimin e tij për t’u angazhuar me këtë çështje dhe për t’i vizituar këto qeveri.

“Le të themi se ata nuk përbëjnë institucionet ideale. Por ajo që mendojmë është se, kur kombinohen mesazhet e qarta dhe të drejtpërdrejta me angazhimet tona ndaj tyre, kjo na jep një mundësi më të mirë për të influencuar dhe për t’i krijuar hapësira shoqërisë civile”.

Presidenti Obama tha se SHBA-të do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Kenian dhe kombet e tjera të Afrikës Lindore, për të luftuar kërcënimet nga grupet ekstremiste islamike.

Kenia është një nga përfituesit më të mëdhenj të ndihmave ushtarake amerikane, por gjatë viteve të fundit ka vuajtur prej sulmeve të militantëve islamikë të Somalisë, al-Shabab.

Top Channel