Turi i Francës, Nibali lë të gjithë pas në etapën e 19

24/07/2015 00:00

Kampioni në fuqi i Turit të Francës, italiani Vincenzo Nibali, ka rikthyer në vend një pjesë të lavdisë së tij në këtë kompeticion, duke fituar etapën e 19, tërësisht malore, falë një shkëputjeje dhe avancimi të vetëm thuajse gjatë gjithë kohës.

Çiklisti italian i Astanas arriti të shkëputej nga një grup çiklistësh, ku ndodhej edhe kryesuesi i renditjes së përgjithshme Chris Froome, gjatë ngjitjes më të vështirë alpine të së premtes, në Croix de Fer, e më pas arriti të parakalonte gradualisht disa çiklistë që ishin shkëputur më herët në kryesim gjatë pedalimit prej 138 km.

Froome u duk i gatshëm “të lejonte” Nibalin të avanconte, por me kufizime. Çiklisti siçilian e nisi këtë etapë në vendin e 7, me 8 minuta dhe 4 sekonda pas kryesuesit Froome, mbajtës i fanelës së verdhë. Ndërkohë që për italianin kjo fitore është e pesta e një etape të Turit të Francës.

Rreth 90 sekonda pas tij, Froom humbi disa sekonda të vlefshme kundrejt rivalit të tij kryesor për titull, kolumbianit Nairo Quintana, i cili e nisi etapën me 3 minuta e 10 sekonda pas tij, por që tashmë gjendet më afër.

Top Channel