Agjencia Europiane e Medicinës jep dritën jeshile për vaksinën ndaj malarias

24/07/2015 00:00

Agjencia Europiane e Medicinës ka dhënë dritën jeshile që vaksina kundër malarias të përdoret te fëmijët në Afrikë, të cilët janë në rrezik të vazhdueshëm nga kjo sëmundje.

Kjo agjenci ka rekomanduar që vaksina Mosquirix duhet të licencohet nga të gjitha autoritetet, pasi mund t’ju shpëtojë jetën me mijëra fëmijëve afrikanë.

“Vaksina nuk zgjidh 100% problemin e malarias, por jep një kontribut të jashtëzakonshëm në kontrollimin e sëmundjes në mesin e komuniteteve të prekura në Afrikë”, u shpreh Andrew Witty nga “GlaxoSmithKline”, që ka punuar me këtë vaksinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka premtuar se do të ofrojë ndihmën e saj gjatë këtij viti në mënyrë që të qartësojë përmes një manuali se ku dhe si duhet të përdoret vaksina. Kjo vaksinë do të duhet të aprovohet edhe nga auoritetet shëndetësore në Afrikë.

Vaksina është krijuar nga “GlaxoSmithKline”, ndërsa është dashur 30 vite punë që shkenctarët ta sjellin në këtë nivel sa të aprovohet nga një autoritet. Mendohet se deri më tani janë shpenzuar mbi 565 milionë dollarë, kryesisht të dhuruara nga fondacioni i Bill Gates.

Top Channel