Kosovë, transferime prokurorësh nga Prokuroria Speciale te Prokuroria e Shtetit

24/07/2015 00:00

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur unanimisht, që prokurorët Sevdije Morina, Besim Kelmendi dhe Lulzim Sylejmani të kalojnë në zyrën e Prokurorisë së Shtetit. Gjithashtu u tha se, shpallja e konkursit për rekrutimin e stafit mbështetës do të bëhet në bazë të marrëveshjes së Brukselit, që është arritur nga pala kosovare dhe ajo serbe.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se, në këtë konkurs për emërimin e prokurorëve në zyrën e Prokurorisë së Shtetit kanë aplikuar gjithsej 7 prokurorë.

“Pas shqyrtimit të dokumentacionit, komisioni për emërimin e prokurorëve ka bërë listën sipas rendit të prokurorëve. Sevdije Morina është renditur me 98.6 pikë, Besim Kelmendi me 97.33 pikë, Lulzim Sylejmani me 96 pikë, Agron Bajrami me 89 pikë, Ilaz Beqiri me 86 pikë, Ibrahim Berisha me 74 pikë dhe Ferdane Syljemani me 63 pikë. Sevdije Morina, Besim Kelmendi dhe Lulzim Sylejmani të rekomandohen për prokurorë në Prokurorinë e Shtetit”, tha Alelsandër Lumezi, kryeprokuror.

Anëtari i Këshillit Prokurorial, Florent Muçaj tha se, me emërimin e Sevdije Morinës në zyrën e Prokurorisë së Shtetit, ajo humb bazën deleguese si përfaqësuese e Prokurorisë Speciale.

“Ne po shohim, që ankesat dhe procesi është kryer dhe tash po i emërojmë. Unë kam vetëm një dilemë, megjithëse është shumë mirë, që një njeri me përvojë si zonja Morina po shkon në zyrën e kryeprokurorit të Shtetit. Kam problemin se, tash e tutje na paraqitet një rrethanë ligjore e re, ku zonja Morina humb bazën deleguese si përfaqësuese e Prokurorisë Speciale në Këshillin Prokurorial dhe kjo do t’ia vendoste në pikëpyetje edhe mandatin e saj. Ne e dimë se ligji nuk e njeh zyrën e kryeprokurorit të Shtetit si etnitet, që përfaqësohet në Këshillin Prokurorial”, tha Florent Muçaj, anëtar i Këshillit Prokurorial.

Ndërsa kryeprokurori Lumezi është arsyetuar se, Sevdije Morina është dekretuar nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe automatikisht i është vazhduar mandati edhe në përbërjen e re të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në anën tjetër, raportin tremujor për krime ekonomike e shpalosi Koordinatori kombëtar për krime ekonomike, Shqipdon Fazliu, i cili tha se trendi i sekuestrimeve dhe konfiskimeve ka vazhduar në nivel të kënaqshëm.

Ndërsa si sfidë, sipas Fazliut, mbetet çështja e statistikave, pasi vërehet se ka mospërputhje mes punës së bërë në terren dhe asaj që pasqyrohet në bazën e të dhënave.

Fazliu shtoi se, pas disa muajsh punë intensive janë dorëzuar dy makina të konfiskuara nga të pandehurit, të cilat tani e tutje do të shfrytëzohen nga ana e Policisë së Kosovës për një efikasitet më të lartë.

Top Channel