Shalke ofron 4 milionë euro për Hysajn, Empoli kërkon 6

24/07/2015 00:00

Elseid Hysaj, një prej lojtarëve më të spikatur në Kombëtaren shqiptare, por edhe te Empoli në sezonin që sapo u mbyll, ka ngjallur interesimin e shumë klubeve në Itali, por edhe më tej.

Pas interesimit të Lacios e Napolit në Serinë A, tashmë duket se ekipet gjermane po bëjnë hapa konkretet për të siguruar shërbimet e 21-vjeçarit shkodran për sezonin që do të nisë në muajin e ardhshëm.

Sipas mediave italiane, Shalke ka bërë një ofertë zyrtare për Hysajn, duke i ofruar Empolit 4 milionë euro, por toskanët kërkojnë të paktën 6 milionë për ta lënë të lirë shqiptarin.

Megjithatë, mediat italiane shkruajnë se gjermanët po bëjnë të pamundurën për të transferuar Hysajn deri në fund të këtij muaji.

Nëse dy klubet do të arrinin një marrëveshje, atëherë ky transferim do të ishte një mundësi mjaft e mirë për 21-vjeçarin shqiptar, duke qenë se Shalke është një prej klubeve më të rëndësishme në futbollin gjerman.

Top Channel