Nibali: Chris Froome më sulmoi me fjalë të “rënda”

25/07/2015 00:00

Duhet të vinte etapa e 19 që kampioni në fuqi i Turit të Francës, italiani Vincenzo Nibali, të rikthente në vend një pjesë të lavdisë së tij në këtë kompeticion. Ai i la të gjithë pas në një etapë tërësisht malore.

Pas suksesit, Nibali ka thënë se është sulmuar me fjalë nga kryesuesi i renditjes së përgjithshme Chris Froome.

“Froome më sulmoi me fjalë të ashpra pas garës. Nuk ja kam idenë se për çfarë e kishte fjalën, por ato që më tha janë të padenja për t’u përsëritur”, tha Nibali.

Duket se acarimi i britanikut Chris Froome ka ardhur në momentet kur italiani është shkëputur nga grupi ku ndodhej edhe mbajtësi i fanelës së verdhë. Froome pati një problem me biçikletën e tij dhe qëndroi prapa, ndërsa ato momente janë shfrytëzuar nga Nibali për të nisur shkëputjen.

Kampioni në fuqi i Turit të Francës tha pas garës së kjo fitore ishte për të, për familjen dhe për Italinë, ndërsa shtoi se ka mbetur i befasuar edhe nga mbështetja e dhënë nga publiku francezë gjatë etapës.

Top Channel