Takimi Kerry-Lavrov, do të bisedojnë në Katar për masat e reja ndaj terrorizmit

25/07/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka planifikuar të zhvillojë bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, rreth masave të reja që duhen marrë në kuadër të terrorizmit, si dhe për situatën e rënduar në Siri.

Takimi i dy përfaqësuesve të qeverive përkatëse, do të mbahet në Katar javën e ardhshme. Kerry i tha Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë se “ndërkombëtarët duhet të ndryshojnë dinamikën e ngjarjeve në Siri”. Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, takimi me Lavrov është pjesë e negocimeve me Turqinë gjatë javëve të fundit.

Prej 2011-ës Siria është e përfshirë nga lufta civile. Forcat qeveritare luftojnë në fronte të shumta kundër opozitës së moderuar dhe grupeve të shumta ekstremiste, duke përfshirë ISIS dhe Al Nusra. 

SHBA-të kanë kërkuar largimin e presidentit sirian Bashar al-Assad për zgjidhjen e krizës siriane, ndërsa Moska ka drejtuar dy raunde bisedimesh për paqe me anëtarë të qeverisë siriane dhe disa liderë të opozitës, por nuk është se ka arritur ndonjë sukses deri tani.

Më parë gjatë këtij muaji, Obama u shpreh se problemet që kanë mbërthyer Sirinë nuk mund të zgjidhen pa Rusinë, Iranin, Turqinë, të cilët ‘janë partnerë tejet të rëndësishëm në këtë çështje”.

Sipas Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, numri i të vdekurve nga lufta civile në Siri ka arritur në 320,000, ndërsa sipas Kombeve të Bashkuara, deri tani janë vrarë 220 mijë persona, duke përfshirë civilë, rebelë dhe forcat qeveritare. Rreth 12 milionë sirianë mendohet të kenë lënë vendin e tyre për të emigruan.

Top Channel