Lufta kundër ISIS-it, Carter viziton Kurdistanin

25/07/2015 00:00

Në kuadër të forcimit të pozitave kundër terrorizmit, shefi i Pentagonit Ashton Carter është takuar në Irak me presidentin Kurdistanit, Massud Barzani.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes përsëriti angazhimin e vendit të tij për të ndihmuar rajonin autonom verior të Irakut, i cili prej një kohe të gjatë i ka bërë  ballë presionit të ISIS-it.

Carter përgëzoi Presidentin Barzani për sukseset e betejave si edhe për koordinimin e vazhdueshëm me SHBA dhe koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS-it.

Por vizita e Ashton Carter zhvillohet në një moment delikat, ku rreziku në terren është shumë i lartë. Mëngjesin e të shtunës, avionë ushtarakë turq kanë goditur kampe që i përkasin militantëve kurdë në Irakun Verior.

Sipas autoriteteve turke, sulmet e tyre hynë në ditën e dytë të tyre dhe tani kanë në shënjestër Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose te njohur ndryshe si  PKK.

Por sipas zëdhënësit të kësaj partie, i cili së bashku me aktivistët e tjerë kanë  luftuar për autonomi që nga viti 1984 dhe jane konsideruar si një organizatë terroriste nga Ankaraja dhe aleatët e saj, u shpreh se sulmet e fundit me shumë gjasë i japin  fund marrëveshjes se paqes së nënshkruar në vitin 2013.

Praktikisht Turqia e ka prishur armëpushimin me ne, tha Zagros Hiëa për Associated Press, duke shtuar se partia e tij është në vlerësim e sipër të dëmit të shkaktuar nga goditjet.

Në vazhdën e këtyre sulmeve mësohet se Presidenti i SHBA, Barack Obama dhe përfaqësues të tjerë të lartë të koalicionit ndërkombëtar janë në kontakte të pandërprera me Rexhep Tajip Erdogan,  për ta orientuar në luftën kundër terrorizmit. 

Teksa perëndimi  po harton taktika të reja për të mposhtur kancerin ISIS, xhihadistët vazhdojnë me itinerarin e tyre. Ditët e fundit militantët kanë rrëmbyer me dhunë më shumë se 180 fëmijë të moshave ndërmjet 10-15 vjeç, rekrutim ky që është bërë qëllimisht për t’i trajnuar që të bëhen pjesë e grupit ekstremist.

Edhe pse numri i fëmijëve që luftojnë në terren për llogari të ISIS-it ende nuk dihet, të dhënat flasin për 1.100 fëmijë të marrë me dhunë nga familjet e tyre.

Top Channel