Akuzat, “Crown Agents”: Të pabaza. Do marrim masa për të mbrojtur reputacionin tonë

25/07/2015 00:00

Një ditë pas ambasadës britanike, edhe kompania “Crown Agents”, që menaxhon doganat shqiptare, ka reaguar në lidhje me disa deklarata të opozitës që e akuzojnë atë për korrupsion.

Përmes një komunikate publike, kompania thotë se nuk ka ndërmend të përfshihet në një debat politik mbi llojin e punës që ka bërë dhe vazhdon të bëjë në Shqipëri.

“Sigurisht që i mirëpresim këshillat dhe sugjerimet konstruktive mbi mënyrat sesi puna jonë mund të përmirësohet dhe njëkohësisht mbetemi gjithnjë të hapur për t’i diskutuar këto çështje me këdo”, thotë “Crown Agents”.

Sidoqoftë –vijon komunikata- ne i refuzojmë krejtësisht akuzat dhe hamendësimet shpifëse të bëra së fundmi nga disa politikanë dhe analistë, përsa i përket ekzistencës të qoftë edhe një elementi të vetëm korrupsioni në procesin e marrjes dhe zbatimit të kontratës tonë.

“Këta individë nuk kanë paraqitur asnjë provë të vetme në mbështetje të këtij pretendimi dhe as që do të kenë mundësinë ta bëjnë diçka të tillë, sepse pretendimet e tyre janë plotësisht të pavërteta. Për këtë arsye u kërkojmë këtyre personave, me gjithë respektin, që t’i tërheqin akuzat e bëra”, thotë kompania.

Crown Agents thotë se punon mbi bazën e standardeve më të larta të ndershmërisë dhe integritetit dhe çdo akuzë për korrupsion merret shumë seriozisht, ndërsa lë të kuptohet se me akuzat mund të përballet edhe në një proces gjyqësor.

“Ne do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme e të duhura për të mbrojtur dhe ruajtur reputacionin tonë, ndërkohë që përballemi me akuza të pabaza”, përfundon komunikata.

Top Channel