Summer Fest në Kosovë, sonte koncerti i madh në Prishtinë

25/07/2015 00:00

Për të dytin vit radhazi,  qendra e Prishtinës do të ushtojë nga tingujt e festivalit veror Summer Fest, një organizim i përvitshëm i Fondacionit “Dritan Hoxha” dhe televizionit Top Channel.

Sot në mbrëmje në ora 20:30 në sheshin Skënderbeu në kryeqytetin kosovar ngjiten në skenën e Summerfest, talente dhe emra të njohur të muzikës si Albina Kelmendi nga The Voice of Albania, Valon Shehu, Mentor Haziri, Era Istrefi dhe Ledri Vula.

Prezantimi i tyre do të bëhet nga dy moderatoret e njohura Luana dhe Marina Vjollca. Ky Summer Fest në  edicionin e tij të katërt tashmë, vjen në Prishtinë në sajë të mbështetjes institucionale nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës, dhe me përkrahjen e ministrisë së Diasporës e të ambasadës së Shqipërisë

“Ne vlerësojmë se është një aktivitet i cili ka peshë në disa kuptime, së paku sepse shënon një bashkëpunim shumë të mirë të një mediumi të fuqishëm me një institucion përgjegjës për kulturën. Në një kuptim ky aktivitet përvec tjerash edhe e mbanë gjallë jetën kulturore në vend  dhe në këtë kuptim ministria e ka cmuar si të rëndësishëm që të jetë pjesë mbështetëse e këtij aktiviteti”, thotë Vehbi Miftari, këshilltar i ministrit, MKRS.

“Ne mbështesim këtë aktivitet të Summer Fest këtu në Prishtinë. Ambasada e Shqipërisë këtu ka bërë gjitha përpjekjet për të dhënë atë ndihmë modeste për organizimin e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm për vitin e dytë në Prishtinë. Dhe mendojmë që vitin e ardhshëm  ta shtrijmë në qytetet tjera të Kosovës ashtu sic bëhet edhe në qytetet të ndryshme të Shqipërisë. Do jetë një dicka shumë e bukur”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Summer Fest me producente dhe drejtuese projekti Ledja Liku sjell sonte në mbrëmje për publikun e Prishtinës  jo vetëm muzikë por dhe elemente argëtuese  nga trupa e cirkut kombëtar të Shqipërisë, e trupa e baletit e Top Channel dhe sfilata mode.

Në Summer Fest Prishtinë do të zhvillohet sfida e kërcimit me grupet break dance dhe free style, Dance Zone e moderuar nga balerini Klajdi Selimi.

Top Channel