Britani, rrjetet kriminale çorodisin tregun e pasurive të patundshme

25/07/2015 00:00

Agjencia Kombëtare e Antikrimit në Britaninë e Madhe, NCA, ka dhënë alarmin se grupe kriminale të huaja po pastrojnë miliarda stërlina përmes blerjes së pronave të shtrenjta, gjë që po çon në rritjen e çmimeve të shtëpive në mbarë Mbretërinë.

Shefi i sektorit të antikrimit financiar në këtë Agjenci, Donald Toon ka deklaruar për gazetën “Times” se çmimet e shtëpive në Londër janë deformuar si pasojë e këtyre skemave kriminale.

Sipas Toon, “çmimet po ngrihen në mënyrë artificiale nga kriminelë që duan të izolojnë asetet e tyre këtu në Mbretërinë e Bashkuar”.

Oficeri i lartë u ka bërë thirrje agjentëve që merren me shit-blerjen e pronave që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.

“Jam i alarmuar nga numri i shtëpive që regjistrohen pranë korporatave “offshore”, disa prej të cilave duhet të jenë blerë patjetër me para të pastruara”, ka thënë Toon.

Departamenti i Thesarit në Britani ka fituar 150 milionë stërlina në tre muajt e fundit nga taksat mbi pronat e blera më tepër nga kompani kredish dhe investimesh, sesa nga individë, raporton “Times”.

Kur taksa ndaj këtyre pasurive u aplikua në periudhën 2013-2014, Thesari fitoi 100 milionë stërlina nga shitja e 3.990 shtëpive, me 80 për qind të të ardhurave që vinin nga dy prej zonave më të lakmuara të Londrës, ajo në Westminister dhe Kensington & Chelsea.

Top Channel