SHBA, Pentagoni: Jo roje civile pranë komplekseve ushtarake

25/07/2015 00:00

Departamenti i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të heqin dorë nga patrullimet e armatosura në komplekset ushtarake që nuk janë autorizuar të mbajnë armë.

Apeli ka ardhur pasi pas ngjarjes së javës së kaluar në Tenesi, kur një 24-vjeçar hapi zjarr ndaj një qendre rekrutimi të marinës dhe vrau 6 anëtarë të personelit, civilë të armatosur kanë zbritur në rrugë për të mbrojtur qendrat e rekrutimit.

Zyrtarë të Pentagonit kanë deklaruar se, e vlerësojnë mbështetjen për më shumë siguri, por kanë theksuar se përfshirja e civilëve të armatosur mund të cënojë sigurinë, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme.

“Edhe pse u jemi mirënjohës qytetarëve për mbështetjen, ne u kërkojmë atyre të mos qëndrojnë të armatosur pranë zyrave tona, pasi mund të bëhen pengesë për misionin tonë dhe madje të krijojnë pasiguri”, ka deklaruar zëdhënësi Peter Cook.

Qendrat e rekrutimit ushtarak në Shtetet e Bashkuara nuk janë të autorizuara të mbajnë armatime, duke u kthyer kështu në një objektiv të lakmuar nga terrroristët.

Javën e kaluar 24-vjeçari Muhammed Youssef Abdulazeez sulmoi me armë automatike dy komplekse të tilla në lokalitetin Çatanuga, duke vrarë 6 anëtarë të marinës.

Vetë ai mbeti i vrarë në shkëmbimin e zjarrit me policinë, ndërsa motivet e veprimit të tij mbeten të paqarta.

Top Channel