Mesazhi i Obamës në Kenia: Çrrënjosni korrupsionin

25/07/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama u ka bërë thirrje autoriteteve në Kenia që të ndërmarrin përpjekje të dukshme për të frenuar korrupsionin, “që mund të jetë pengesa më e madhe për zhvillimin e mëtejshëm të vendit”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Uhuru Kenyatta, Obama tha se, ndihej i inkurajuar nga deklaratat e presidentit kenian mbi nevojën për çrrënjosjen e këtij fenomeni.

“Njerëzit po bëhen të vetëdijshëm se korrupsioni është në nivelet e larta dhe jo vetëm në ato të ulëta. Nuk duhet të jesh ekspert për ta kuptuar këtë”, tha Obama.

Ndaj, vijoi ai, nevojiten procese gjyqësore të dukshme që t’u tregohet kenianëve se shteti po vepron.

“Policët dhe shërbyesit civilë duhet të paguhen në mënyrë të përshtatshme për të frenuar fenomenin, por ndonjëherë mjafton vetëm t’u thuash jo huqeve”, tha presidenti amerikan.

Ndër të tjera, Obama tha se, “dy vendet janë të bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet për ta ndalur atë”.

Në të njëjtat linja u shpreh edhe presidenti kenian, por ajo që ndau dy liderët ishte çështja e të drejtave të homoseksualëve.

Teksa Obama u shpreh kundër diskriminimit, Kenyatta tha se, Kenia nuk ndan të njëjtat vlera në këtë drejtim.

“Duhet të pranojmë se ka disa vlera që nuk i ndajmë së bashku, kulturat dhe shoqëritë tona janë të ndryshme”, tha ai.

Top Channel