Meksikë, telashet e “El Chapo” sapo kanë filluar

25/07/2015 00:00

Arratisja e 11 korrikut mund ta ketë nxjerrë jashtë baronin e drogës Joaquin Guzman Loera nga burgu me sigurinë më të lartë në Meksikë, por kjo nuk do të thotë se telashet e tij mbaruan.

Sipas analistëve amerikanë të çështjeve të sigurisë, “El Chapo” tashmë ka sfida edhe më të mëdha përpara tij.

Nëse Guzman rimerr sërish drejtimin e kartelit të Sinaloas, detyra e parë e tij do të jetë të rivendosë disiplinën në radhët e organizatës, operacionet e të cilës gjatë mungesës së tij janë zëvendësuar nga ato të bandave të Amerikës Qendrore.

“Ende nuk dihet se cilin krah ato do të zgjedhin, nëse do të punojnë për kolumbianët apo për meksikanët. Ajo që dihet është se njerëzit e Guzman humbën shumë terren gjatë fundit të vitit të kaluar dhe zinxhiri i furnizimit me drogë është dobësuar”, thotë eksperti Samuel Logan për “Associated Press”.

“Pra, atij mund t’i duhet ta rindërtojë organizatën”, vlerëson ai.

Dhe në fakt detyra duket se do të jetë e vështirë. Që nga arrestimi i Guzman 17 muaj më parë, trafiku i drogës përmes Meksikës ka ndryshuar.

Strategjia e qeverisë për të goditur kartelet e mëdha përmes arrestimit të krerëve të tyre ka çuar në shpërbërjen e tyre dhe krijimin e grupeve kriminale më të vogla, por më të shumta në numër.

Top Channel