Hungari, Orban: Barriera në kufi me Serbinë, gati brenda gushtit

25/07/2015 00:00

Hungaria do ta përfundojë ndërtimin e barrierës mbrojtëse nga emigrantët në kufirin në jug me Serbinë brenda muajit gusht, përpara afatit të vendosur më herët për në nëntor.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Viktor Orban këtë të shtunë. “Barriera do të ndërtohet brenda 31 gushtit. Çdo afat tjetër është i pavlefshëm”, ka deklaruar Orban.

Punimet për ndërtimin e pengesës filluan javën e kaluar, me testimin e pjesës së parë 4 metra të lartë. Qëllimi i saj është të pengojë numrin në rritje të emigrantëve dhe azilkërkuesve që kalojnë në Hungari përmes Serbisë.

Javën e kaluar, ministri hungarez i Mbrojtjes deklaroi se barriera që do të pajiset me tela me gjëmba do të mbulojë të gjithë vijën kufitare prej 175 kilometrash.

Që nga fillimi i vitit, Hungaria ka regjistruar mb 80 mijë azilkërkues, një rritje e ndjeshme nga kuota prej 43 mjë që ishin vitin e kaluar dhe mbi 2 mijë aplikime për azil.

Shumica e tyre vijnë nga Afganistani, Iraku, Siria dhe vende të tjera afrikanë që shpresojnë të kalojnë për në Austri dhe Gjermani, por edhe shtete të tjera perëndimore.

Top Channel