Turqi, sulm me bomba ndaj autokolonës, vriten dy ushtarë. SHBA: PKK, organizatë terroriste

26/07/2015 00:00

Në Turqinë e tensionuar, një sulm me bombë ndaj një autokolone ushtarake në Lindje të vendit u ka marrë jetën dy ushtarëve e ka plagosur 4 të tjerë. Shpërthimi i ndodhur në qytezën Lice, në Dyarbakir, e i konfirmuar edhe nga zyra e guvernatorit të provincës, pasoi bombardimin e kampeve të separatistëve kurdë në Veri të Irakut nga forcat e Ankarasë, të parat goditje të kësaj natyre, që prej fillimit të procesit të paqes në 2012-n.

Për sulmin e Licesë, asnjë grup nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë, por jehona e episodeve të së shtunës ndërkohë po ndihet edhe më fort, pas kërcënimeve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, se do t’i japë fund armëpushimit dyvjeçar.

Qetësia është lëkundur në mbarë Turqinë, që prej sulmit kamikaz të Suruçit, vepër e Shtetit Islamik, ku humbën jetën 32 vetë – shumica studentë – që do të ndihmonin vullnetarisht në rindërtimin e qytetit sirian të Kobanës. Sa u përket sulmeve ndaj objektivave të ISIS, Turqia është shprehur se kjo fushatë do të ndihmojë në krijimin e një “zone sigurie” përgjatë një pjese të konsiderueshme të Sirisë veriore.

“Kemi vepruar gjithnjë me synimin për të sjellë qëndrueshmëri në të dyja vendet, sepse i konsiderojmë ata si pjesë të së njëjtës fotografi. Do të duhet të krijohet një zonë sigurie dhe disa zona ndalimfluturimi në Siri. E kemi nënvizuar disa herë se, zgjidhja e problemit të Sirisë është thjesht dhe vetëm politike. Një zgjidhje pa Presidentin Assad”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu

Ka pasur një valë protestash në Ankara e Stamboll, ku nuk kanë munguar as përplasjet me policinë. Krahu ushtarak i PKK-së vrau të mërkurën dy oficerë turq, nën pretendimin se kishin bashkëpunuar me ISIS-in për shpërthimin e Suruçit.

Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje të dyja palëve të shmangin dhunën, por këmbëngulin për çdo rast se Turqia ka të drejtë të mbrojë veten nga sulmet e rebelëve kurdë. Zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të koalicionit anti-ISIS, Brett McGurk, shkroi në Tëitter:

“Bëjmë thirrje për çtensionimin e situatës e i nxisim të dyja palët të mbeten të angazhuara për një zgjidhje paqësore të saj, e për ruajtjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme. Nuk ka asnjë lidhje mes sulmeve ajrore kundër PKK-së dhe marrëveshjeve të fundit për intensifikimin e bashkëpunimit SHBA-Turqi kundër ISIS-it”, shkroi McGurk në rrjetin social.

Edhe Shtëpia e Bardhë ka reaguar këtë të dielë, duke u shprehur se mirëpret fokusin në rritje dhe përpjekjet e Turqisë për të luftuar Shtetin Islamik, madje bëri të ditur edhe vendimin për ta konsideruar PKK-në e militantëve kurdë në Turqi si një “organizatë terroriste”.

Komentet janë bërë gjatë një deklarate të shkurtër për shtyp nga Nairobi, ku zyrtari i Shtëpisë së Bardhë shoqëron Presidentin amerikan, Barack Obama, gjatë vizitës së tij në Kenia.

Kurdët mendojnë se qeveria turke ka dështuar në frenimin e ISIS-it, të cilin – sipas tyre, – e ka konsideruar një vegël të vyer në luftën e vetë kundër armikut kurd. Sulmet sporadike, përfshirë dhe mësymjen e një komisariati policie në Stamboll, e kanë rritur ndjeshëm perspektivën e një rikthimi të konflikteve të vjetra mes shtetit turk dhe separatistëve kurdë, që e munduan vendin për plot 30 vite e u kushtuan jetën rreth 40 mijë njerëzve.

Top Channel