Cameron, në Azinë Juglindore: Mbështetje për frenimin e kalifatit në vendet myslimane

26/07/2015 00:00

Edhe pse në një turne biznesi nëpër disa vende të Azisë Juglindore, si Indonezi dhe Malajzi, vende me popullsi mjaft të madhe myslimane në atë rajon, kryeministri britanik David Cameron do të ofrojë mbështetjen e Londrës për të luftuar rishfaqjen e Shtetit Islamik në këto vende.

Duke e cilësuar si “armikun e përbashkët”, Cameron do të theksojë se ekstremizmi islamik do të luftohet, nëse do të ekzistojë uniteti mes këtyre vendve. Qeveria britanike vlerëson se, rreth 500 vetë nga Indonezia dhe 200 nga Malajzia janë bashkuar me ISIS-in, në Siri dhe Irak.

“Unë besoj se Britania mund të ofrojë ekspertizë në punën praktike në luftën kundër terrorizimit, që ka të bëjë me kërcënimet nga luftëtarët xhihadistë dhe hetimin e komploteve të mundshme terroriste”, tha Cameron.

Në një zhvillim të veçantë, mësohet se qeveria britanike është duke diskutuar edhe për rolin e saj në luftën kundër ISIS në Libi. Nuk sugjerohet për ndonjë sulm ajror, por mendohet se, tashmë Londra ka planet sesi mund të luftohet prania e Shtetit Islamik, nëse formohet një qeveri e qëndrueshme në Libi.

Udhëtimi disaditor i David Cameron në Azi ndodh në kohën, kur në shtypin britanik të së dielës kanë dalë njoftime për një plan sekret për dislokimin e rreth 5100 trupave ushtarake nëpër rrugët e Britanisë, nëse do të ketë ndonjë sulm të madh terrorist.

Sipas “The Mail on Sunday”, plani i debatueshëm i koduar “Operacioni Temperer” parashikon vendosjen e trupave, që do të ruajnë objektivat kryesore përkrah forcave të policisë, në rast të sulmeve terroriste si ato në Paris.

Top Channel