Një bust i munguar në Patos…

26/07/2015 00:00

NDUE DEDAJ – (Saga e Myzeqesë me Jakov Xoxën e të tjerë) Jakovi na shfaqet i gjallë, kaluar mbi motoçikletë, si agronomët që rendnin fushave të grunjta pa pafund, por që ndryshe nga ata, ai kultivonte bimën e fjalës, përmes metaforës së “lumit të vdekur”, “jugës së bardhë”, “lules së kripës” etj.

Prozatorin që si një murg i përvutë krijoi sagën myzeqare, poeti dhe studiuesi i njohur i letërsisë Agim Vinca e quan “pa dyshim një nga shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, krijues që la pas vetes një vepër e cila i ka të rralla shoqet në letërsinë shqipe”. Ama, që nuk përfshihet rregullisht në programet e letërsisë të shkollave. Se kushedi se si e marrin autorin “teoricienët” tanë të teksteve shkollore, që njëherë e fusin një autor e njëherë tjetër e nxjerrin. Ky është problemi jo vetëm për Xoxen, po dhe për Stërmillin, Bulkën etj. Harresa e të mëdhenjve, të talentuarve, mjeshtërve të letërsisë dhe jo vetëm po kthehet në një sindromë të kësaj kohe. E Jakov Xoxa, megjithatë, është duke ecur drejt pavdekësisë, pa dashur t’ia dijë nëse dikush nga burokracia e letrave nuk e bën detyrën karshi veprës së tij. Ai ashtu, pa “miq”, ishte si atëherë si sot.

Kushdo që vete në Apoloni, ndalet dhe tek oda e tij krijuese. Ai vetëm aty, mes statujave të lashta homerike, mund të ndihej në botën e tij, larg “realizmit socialist” (shumë zhurmë për asgjë), aty do të krijonte si një skulptor statujat e veta letrare, nga më të përkryerat, Pilo Shpiragun e paepur e gjer Vitën dhe Adilin, çiftin e dashuruar, që asokohe thuhej se simbolizonin bashkimin kombëtar. Xoxa në Apoloni, në vitin 1973, kishte pritur me dashuri të veçantë studentët e Letërsisë të Universitetit të Prishtinës.

Saga e Myzeqesë nuk kryen asnjëherë, ajo se pse i ngjet vjeshtës. Nuk mund të kalosh udhëve të saj dhe të mos jesh njësh me Jakov Xoxën, Vaçe Zelën, Vath Koreshin, Nasho Jorgaqin, Pëllumb Kullën, Faslli Halitin, Visar Zhitin etj. Personazhet e saj janë të njohur e më pak të njohur, veriorë dhe jugorë, njerëz me fate të trazuara, tokëpunues, naftëtarë dhe intelektualë të elitës. Njëri nga ata quhej Pal Nikollë Marku. Nuk kishte folur për tridhjetë vjet, jo se ishte gjuhëlidhur, jo se nuk dinte, por se nuk duhej! Kurse pas 90-s, si një cicëron i malit dhe fushës, ishte kthyer në pritës dhe përcjellës i të rinjve shkollarë, pa qenë mësues.

Gjashtë vjet më parë, në pranverën e vitit 2009, Pali do të shoqëronte nëpër Apoloni disa klasë të gjimnazit të Rrëshenit, të cilëve do t’iu printe për te dhoma muze ku Jakov Xoxa shkruante romanet e tij.

Në Patos
Malësori erudit, Pal Nikollë Marku, që nuk kishte dalë nga folklori i Munellës, por nga aulat universitare, nuk rron më, ndërsa mësuesi i letërsisë i gjimnazit të Patosit, myzeqari Toli Shabani, nuk e heq asnjë çast nga goja mikun e vjetër. “Kur gjërat ndryshuan, në orët e letërsisë të Fishtës, Mjedës, Koliqit e të tjerë thërrisja “Bacën Pal” dhe ai ua bënte të magjishëm mësimin nxënësve. Dinte përmendësh shumë vargje të tyre. Njëherë u dhashë të shkruanin ese për shkrimtarët e traditës dhe pastaj punimet e tyre i mori “pedagogu i jashtëm” Pali, i cili shkroi “Ese për esetë”, me vlerësime për punën e nxënësve…”.

Po cili ishte ky njeri që kishte fituar të drejtën të shpjegonte me gjimnazistët e Patosit kolosët e letërsisë? Një fonditor në uzinë prej 15 vitesh, i shtrënguar të bënte atë zanat të vështirë… që kur fliste për Shekspirin, e thoshte “Hamletin” në anglisht dhe kur shpjegonte Danten, e recitonte “Ferrin” në gjuhën e tij. Njihte qysh në rini dhe rusishten, serbishten, bullgarishten etj. Ishte një poliglot, me një bibliotekë të pasur me literaturë në disa gjuhë. Nuk kishte qenë gjithnjë shkrirës metali. Para se të ndodhte goditja politike në rafineritë dhe kupolën e “arit të zi”, ai kishte themeluar në Kuçovë Bibliotekën Tekniko – Shkencore të Naftës, e vetmja e atij lloji në republikë, që më pas ishte mbartur në Patos bashkë me Institutin e Naftës dhe Gazit. Ky shqiptar i racës së vjetër, i panjohur për publikun e gjerë, por jo për elitën e vendit të viteve ’50, kishte lindur me 1926 në Kalivare të Mirditës. Mësimet e para i merr në konviktin “Mirdita” të Oroshit dhe pastaj mbaron Normalen e Elbasanit në 44-n. Fill pas Luftës në 1945 – ’48 kryen Akademinë e Aviacionit Ushtarak në Beograd. Kthehet në atdhe dhe është i pari shef i Stacionit Qendror të Sinoptikës në Tiranë, pranë Aeroportit të Rinasit. Bashkë më studiuesin bullgar, Isidorov, në vitin ’56, kryen studimin për klimën e Shqipërisë, vlerësuar nga Akademia e Shkencave Bullgare. Në Bullgari, ku shkon për shkëmbim përvoje, nuk njihte vetëm artin ushtarak të fluturimeve dhe kapriçiot e motit, po recitonte dhe poezitë e Hristo Botevit. (Ndërkohë dhe i vëllai, inxhinier Dedë Marku, doktor i shkencave gjeologjike, kishte kryer studimet në Bashkimin Sovjetik në vitet ’60, ku përmendet si shqiptari i parë që kishte eksploruar Polin e Veriut).

Në vitet ’56-’61 Pali punon shef i stacionit meteorologjik në regjimentin e forcave ajrore në Kuçovë, si një nga kapitenët më të spikatur të aviacionit shqiptar, që mund të bëhej gjeneral, akademik, por lufta e klasave shpejt do ta nxirrte nga radhët e besnikëve të socializmit. Përjashtohet nga Partia dhe për të nis kalvari si i përndjekur politik. Jeta e Palit kishte qenë një minierë e trazuar nga shembjet. Toli, Kozmai, Balili e të tjerë miq të tij në Patos flasin me adhurim për të dhe natyrisht e reja e tij, Mbaresa, mësuese në gjimnazin e qytetit. Në vitin 1975, për të mos pasur peripeci me regjimin, detyrohet të djegë “Lahutën e Malsisë”, por vetëm pas tre muajsh, pasi ta kishte mësuar të gjithën përmendësh! Kishte dhe një kaligrafi të bukur. Edhe sot kartolinat e tij miqtë i ruajnë si relike. Në Itali, kur qëndronte tek i biri, Sokoli, shkoi dhe te varri i Dantes për të marrë një “autograf”. Dhe nuk mbarojnë fjalët për këtë njeri të rrallë, që jeta nuk i dha lajme të mira, as pasi u shua, pasi shpejt do të ndahej nga jeta dhe djali i madh, Gjergji.

“Baca Pal”, një monument shëtitës…
Mustafa Nano para 13 vitesh në gazetën “Shekulli” shkruante: “Rasti e deshi që në Fier të piqesha me një mirditor të “myzeqarizuar”, jeta e të cilit ishte një roman i bukur tronditës. Emri i tij ishte Pal Nikolla. I mbajtur, i gjallë, i kënduar e mendjehapur, të ngjante me një monument shëtitës. Ishte një copë Mirditë që gjendej shumë mirë në fushëtirat e Myzeqesë, në të cilat kishte harxhuar tridhjetë vite të jetës. Pamja e jeta e tij shkonte mirë në atë bar-odë shqiptare…” Ka dhe një monografi kushtuar këtij personazhi disident, shkruar me përkushtim nga studiuesi Mark Mesuli vite më parë. Ashtu siç ai mban titullin “Qytetar Nderi” i Patosit. Teksa titulli më i lartë është “Baca Pal”, siç e thërrisnin të gjithë në qytetin e tij. I themi profesor Tolit se sa herë vijmë këtu na duket sikur zotëria e tij na vështron nga ndonjë rrugë e qytetit. E nuk ngjet kështu vetëm me ne, po dhe me Luftar Pajën, Ismet Elezin, Moikom Zeqon, Xhevahir Spahiun, Kiço London, Hajrie Rondon, Nuri Plakun etj., që e njohën njëherë dhe e bënë mik për gjithmonë këtë njeri të ditur, të ndaluar nga koha. Megjithatë, ka mbetur në hije dhe sot Baca Pal, “doktori” i motit që pati kryer universitet për shkandullimet e qiellit, reve, rrufeve, për të drejtuar lëvizjen e avionëve luftarakë të Niko Hoxhës, Edip Ohrit, Fahri Bubsit që ishin miqtë e tij të rinisë. Tani është koha të dalë dhe më shumë nga harresa ky virtuoz i heshtur i diturisë, librit e fluturimit. Mbase një bust në Patos. Një titull nderi nga Presidenti…

Myzeqeja ka tashmë “pajtorët” e saj të mëdhenj, Vaçe Zelën, Jakov Xoxën etj. Por ka dhe kujtesën e njerëzve që regjimi i kaluar i dëboi nga tempulli i letrave, artit dhe shkencës, duke na e lënë neve barrën t’i kthejmë në tempull si bartës të disidencës. “Gëlltitja” e 16 mijë vargjeve të “Lahutës së Malsisë” në Myzeqe në vitin 1975, që të mos binin në duart e Sigurimit të Shtetit, ishte vetëm një akt i disidencës morale shqiptare.

Top Channel