Obama, fjalim për terrorizmin. Vlerëson rolin e Kenias kundër grupit Al Shabab

26/07/2015 00:00

Me një fjalim televiziv në stadiumin e sporteve të Nairobit, Barack Obama do t’i japë fund vizitës së tij në Kenia, e para që zhvillon si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin ku u lind i ati.

Stadium “Kasarani” u përdor vitin e kaluar si kamp ndalimi për qindra somalezë, gjatë një operacioni kundër grupit islamik Al Shabab. Shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet të paralajmërojë në fjalën e tij se, të tilla taktika rrezikojnë të ngjallin pakënaqësinë e komuniteteve e t’i hedhin benzinë zjarrit të radikalizmit.

Një ditë më parë, ai e pranoi se qeveria keniane ka luajtur rol të rëndësishëm në luftën kundër organizatave militante si Al Shababi. Grupi xhihadist është përgjegjës për një fushatë sulmesh vdekjeprurëse në Kenia, përfshirë mësymjen e qendrës tregtare “Westgate” të Nairobit në 2013-n apo episodin e dhunshëm të muajit prill në një universitet të “Garissa”-s, ku u vranë gati 150 vetë.

Të shtunën, Obama pati një axhendë të ngjeshur. Ai mbajti fjalim në një samit biznesi, ku lavdëroi potencialin ekonomik të Afrikës; vizitoi memorialin e viktimave të shpërthimit të 1998-s në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Nairobi, e zhvilloi edhe bisedime dypalëshe me homologun kenian, Uhuru Kenyatta.

Pas takimit, të dy udhëheqësit deklaruan se janë të bashkuar kundër terrorizmit, por sa i takon pozicionimit ndaj të drejtave të homoseksualëve, këtu qëndrimet ishin diametralisht të kundërta. Obama e ngriti zërin kundër diskriminimit, ndërsa Kenyatta tha se, në këtë pikë, Kenia nuk ndan të njëjtat vlera.

Pas vizitës dyditore në vendin e blinduar për mbërritjen e tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë do të udhëtojë drejt Etiopisë, duke u bërë i pari President i Amerikës që vë këmbë në këtë vend. Ai do të bëhet gjithashtu i pari udhëheqës i Shteteve të Bashkuara, që i drejtohet Unionit Afrikan 54-anëtarësh, kryekomisioneri Nkosazana Dlamini-Zuma i të cilit e përshkroi rrugëtimin e Obamës në Etiopi, si një “vizitë historike”, që do t’i zgjerojë e thellojë edhe më shumë marrëdhëniet mes Unionit në fjalë dhe Uashingtonit.

Top Channel